A duhet të rikthehet përsëri në trojet e të parëve?
Para se t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje, që ka të bëjë me reliket e një Shenjti,
duhet të kujtojmë se historia e varrimeve dhe e varreve të shenjtorëve më të njohur
të Kishës katolike, është nga më interesantet. Mjafton të kujtojmë Shën Osvaldin,
që u kremtua dje, varrosur një herë, në kishën, ku shërbente, zhvarrosur pastaj, për
t’u rivarrosur në një katedrale. E, më kuptueshëm, reliket e Nënës Tereze, që
kanë ngjallur aq shumë diskutime, sepse të kërkuara me këmbëngulje nga tre shtete:
India, në radhë të parë, nga që vetë Nënë Tereza pati shprehur dëshirën të varrosej
në Kalkutë. Si Shëna Ndou, portugez, në Padovë. Por Nëna e Kalkutës, me gjak shqiptare,
lindi në Shkup. Prej këndej, secili nga tre vendet do të dëshironte t’i kishte Reliket
e së Lumes, sepse shenjtorët dhe njerëzit e mëdhenj, që ia kushtojnë gjithë jetën
njerëzimit, kanë një forcë të rrallë tërheqëse edhe pas vdekjes. Varret e tyre bëhen
cak shtegtimi, meditimi, shërimi, kthesash të mëdha fizike e shpirtërore. Shkruan
Atë Fishta në poezinë e tij të njohur “Një lule vjeshtet”:“Nuk dekka i miri, Jo
kurr; … Prej vorrit t’errshem, Gjumin e dekës kû ai ban, na i
flet mendimit, Ambel edhè na nzitë kah punët e mbara, E n’mende
t’onë gjallon”.Prej këndej kuptohet pse Shqipëria kërkoi, kohët e fundit, që
reliket e Shën Pelinit, të rikthehen në atdhe. Duke pasur parasysh faktin se Shenjti,
që mendohet të ketë qenë nga Durrësi, nuk u largua nga trojet veta me dëshirë. Murgut
bazilian, kundërshtar i rrebtë i herezisë monotelite, iu desh të ikte e të vendosej
në Brindizi, në kohën e sundimit të Kostandinopojës mbi një pjesë të mirë të trojeve
të sotme shqiptare. Ishte vetë ipeshkvi i Brindizit, Prokoli, ai që e ndihmoi
murgun e arratisur e madje edhe deshi ta zëvendësonte, pas vdekjes. Por nuk do të
përfundonin këtu, përndjekjet e Shenjtit. Me urdhër të perandorit të Bizantit, ipeshkvi
i ri u kap e u internua në Korfinio, ku u dënua me vdekje e u mbyt, së bashku me dishepujt
e tij, më 5 dhjetor. Ka shumë mundësi të ketë qenë viti 662. Pelinit, që u shpall
shenjt dhe pajtor i dioqezës Valva-Sulmona, iu kushtuan bazilika e Korfinios si dhe
një fraksion i Avecanos, në dioqezën e Marsit. Këto ditë ipeshkvi Anxhelo Spina deshi
të lejonte mbartjen e disa relikeve të Shenjtit, në Shqipëri. Por, edhe pse në
kohë moderne, ndodhi ajo, që ka ndodhur gjithnjë, kur janë prekur reliket e Shenjtorëve.
Besimtarët kundërshtuan me parullën ‘Shenjti është yni!”. Ipeshkvit iu desh, të paktën
tani për tani, të heqë dorë nga shtegtimi i relikeve, të cilat ruhen në katedrale
që nga vitit 1181, domethënë janë mbartur edhe herë tjetër. A do të ketë edhe Kisha
në Shqipëri ndonjë relike të Shën Pelinit? Do të ishte mirë, por rëndësi ka që tani,
kur është në qiell e u përket të gjithë besimtarëve, ta lusim të ndërmjetësojë edhe
për trojet ku lindi, si për trojet ku u martirizza e ku pushon në paqe!