2012-02-29 16:25:21

Kardinali Pasynia: të reflektojmë për vlerën e bashkësisë e të bashkimit në Kishë


Bashkimi me Zotin, nga i cili Kisha nxjerr hirin e mëshirës, duhet të jetë udha e saj kryesore, udhë dashurie: mbi këto pista u shtjellua dje meditimi i dyfishtë i Ushtrimeve shpirtërore në Vatikan, ndjekur nga Papa dhe Kuria Romake, duke nisur që nga e diela e kaluar. Predikatari, kardinali Pasynia, shpjegon, në mikrofonin tonë, pse e zgjodhi si tekst-udhëheqës, pikërisht Letrën e Shën Gjonit:

Përgjigje: - Pashë se Shën Gjoni i kushton vëmendje të dorës së parë bashkimit në Kishë: si bashkimit të besimtarëve me Apostujt, ashtu edhe bashkimit të besimtarëve me Zotin e edhe bashkimit të Apostujve me Zotin. Meditova e thashë me vete: temë interesante, që vlen për të gjitha kohët, sepse përfshin në vetvete të gjitha problemet e Kishës së të krishterëve të parë, të cilat kërkojnë zgjidhje edhe nga ne, të krishterët e kohëve të reja. E kam fjalën për këputjen e lidhjes së bashkimit në Kishë: copëtimin bashkimit për mungesë feje, për mungesë dashurie të krishterë, për largim nga mësimet e Apostujve. E, duke e parë, ashtu si e trajton Gjoni këtë temë, që në fillim të Letrës së tij, me solemnitet të jashtëzakonshëm: “Çka ishte qysh në fillim, çka dëgjuam, çka pamë me sytë tanë, çka soditëm e duart tona prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, po jua kumtojmë edhe juve, që të jeni në bashkim me ne”. Mënyra sesi Gjoni i paraqet mendimet e tij në Letër, flet vetë për rëndësinë e këtij aspekti. E kjo, sepse në zanafillë të Kishës, kishte dhe njerëz, të cilët nuk besonin se Jezusi ishte Mesia, nuk besonin se Jezusi ishte mishëruar. Shikojmë se Gjoni nis e numëron, ata që nuk besonin se Jezusi erdhi mes nesh e na kujton se kishte edhe prej atyre “Prej nesh dolën, por nuk ishin prej tanëve; sepse po të kishin qenë prej tanëve, do të kishin qëndruar me ne”. Edhe sot kemi bashkësi, që ishin me ne, e dolën; të gjitha bashkësitë e vogla, që ne i quajmë “kishat e rizgjimit”, ose fondamentalistët etj. etj., të gjitha këto realitete, kujtohen në Letrën e Shën Gjonit. E në fund të fundit, Gjoni nis e flet për besimin në Jezu Krishtin, për bashkimin me Zotin e, njëkohësisht, tregon edhe kriteret për të qenë në bashkim me Zotin. Prej këndej, kemi shumë interes t’i shikojmë përsëri këto sende, në të sotmen tonë.

Pyetje: - Në ç’mënyrë gërshetohen fjalët e Letrës së Shën Gjonit, me temat e Kreshmëve?

Përgjigje: - Kreshmë, praktikisht, do të thotë të shkosh në shkreti me Jezusin, për të qenë sa më pranë Hyjit. Atje ku Zoti e mundi djallin, atje edhe ne duhet të fitojmë. E mund të fitojmë. Pa harruar edhe se pikërisht në shkretëtirë, Izraeli u mund nga djalli. Prej këndej, duhet të kemi shumë kujdes, të mos na ndodhë edhe ne e njëjta gjë. Kjo është edhe arsyeja e kremtimit të Kreshmëve: është një ndihmë, që na jepet, për ta jetuar më thellë bashkimin me Zotin. Bashkimi me Zotin, atëherë, është në zemër të Kreshmëve, gjë që na e thotë edhe Shën Gjoni, në Letrën e tij: “Ju fituat, falë shugurimit të Shpirtit Shenjt, falë Fjalës së Zotit, që e morët në Pagëzim”.

Pyetje: - Në Mesazhin e sivjetëm për Kreshëm, Benedikti XVI thekson në mënyrë të veçantë aspektin e bamirësisë konkrete. Si tingëlluan në shpirtin e Afrikës suaj, fjalët e Papës?


Përgjigje: - Thirrja e Papës, tek ne tingëllon thellësisht reale: kur je në Afrikë e shikon rreth vetes varfërinë, mjerimin, luftërat, kaosin që të rrethon, nuk mund të mos mendosh për gjithë këtë pështjellim. E sidomos, të mos nxitesh për të bërë diçka konkrete! Prandaj mund të them se e pritëm me entuziazëm Mesazhin e Papës, sepse përkon plotësisht me realitetin tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.