2012-02-29 15:36:18

Ekspozita ‘Verbum Domini’ në Vatikan, historia e Biblës me 152 dorëshkrime të rralla nga Green Collection e institucione tjera


U paraqit sot gjatë një konference shtypi mbajtur në Sallën Markoni të Radio Vatikani ekspozita ndërfetare ‘ Verbum Domini’ - ‘Fjala e Zotit’, kushtuar historisë së Biblës përmes dorëshkrimeve e pjesëve të rralla antike nga Green Collection e institucione tjera nga mbarë bota. Kështu, 152 tekste dhe materiale të rralla biblike antike, të punuara me dorë, që pasqyrojnë historinë e librit më të famshëm të historisë – Biblën, ekspozohen në zemër të Romës për Krezhmët dhe Pashkët 2012. ‘Verbum Domini’ – ‘Fjala e Zotit’ frymëzohet nga fjalët e Papës Benediktit XVI për një interesim përherë më të pasionuar fetar për “Fjalën e Zotit”. Vizitorët e ekspozitës ‘Verbum Domini’ do të kenë mundësinë të admirojnë një përmbledhje unike të thesareve të rralla katolike romake, ortodokse, protestante e hebraike të Biblës, që rrëfejnë historinë e Fjalës së Zotit gjatë historisë. Ekspozita në Krahun Carlo Magno, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ka afër 460 metra katror, ku për herë të parë ekspozohen 152 dorëshkrime e materiale të lashta me domethënie të madhe historike me prejardhje nga The Green Collection – koleksioni më i madh privat në botë i teksteve dhe i dorëshkrimeve biblike të rralla –, nga Biblioteka e Vatikanit, nga Muzetë e Vatikanit dhe nga koleksionet tjera private të Evropës e të SHBA-së. Ndër dorëshkrimet e materiale më të lashta të Biblës që mund të soditen në këtë ekspozitë është Codex Climaci Rescriptus, që përmban tekstet më të gjata në gjuhën amtare të Jezusit, gjuhën aramaike palestineze; Codex Sinaiticusm një dorëshkrim i vitit 1534 që i atribuohet Thomas More me shumë referime Biblike; “Psalmet, Këngë e Komente” të Richard Rolle – dorëshkrimi më i lashtë e më i gjatë me përkthime në anglisht. Këto janë vetëm disa nga pjesët më të çmuara që mund të vlerësohen në ekspozitën “Verbum Domini”. Nisma, nën patronazhin e Këshillit Papnor për Kulturën, ka si synim të ndihmojë afrimin e vizitorëve pranë historisë madhe të Biblës. Kujtojmë se ekspozita gjendet në Braccio Carlo Magno, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikani e do të jetë e hapur deri më 15 prill me orarë nga ora 9 deri në ora 18.00, çdo ditë përveç të së mërkurës, kur do të hapet nga ora 13 deri në ora 18.00.







All the contents on this site are copyrighted ©.