2012-02-28 11:26:10

Takimi 12-të i Presidentëve të Konferencave ipeshkvnore të jug-lindjes së Evropës në Strasburg.


Në fillim të marsit, nga data 5 deri më 8, në Strasburg të do të mbahet takimi i 12-të i Presidentëve të Konferencave ipeshkvnore katolike të Evropës jug-lindore. Kështu Presidentet e nëntë Konferencave ipeshkvnore katolike: të Shqipërisë, Bosnjës-Hercegovinës, Bullgarisë, Qipros, Greqisë, Moldavisë, Rumanisë, Turqisë dhe Konferencës Ndërkombëtare ‘Shën Cirili e Metodi’, të gjitha të bashkuara nga fakti se janë Kisha pakicë në vendet e tyre të Evropës jug-lindore, do të takohen në Strasburg pranë Qendrës së Shën Tomës për të biseduar dhe për të takuar disa përfaqësues të Këshillit të Evropës.
Takimi, organizuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE) dhe Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, mes tjerash, parashikon, praninë e pjesëmarrësve në Meshën për Evropën organizuar nga Misioni i Vatikanit në bashkëpunim me kryedioqezën e Strasburgut, që do të mbahet të mërkurën më 7 mars në ora 18.30 në Katedralen katolike të qytetit. Në kremtimin e Eukaristisë, që do të kryesohet nga kryeipeshkvi vendor imzot Jean-Pierre Grallet, do të ftohen shumë njerëz që janë të angazhuar në institucionet evropiane: ambasadorë e funksionarë të Këshillit të Evropës, gjykatës të Gjyqit evropian të të drejtave të njeriut si dhe anëtarë të bashkësive e të organizmave kishtare që marrin pjesë nga afër në udhën evropiane. Punimet e takimit do të mbahen me dyer të mbyllura. Disa nga temat që do të trajtohen janë: roli i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës; Demokracia përmes së drejtës në vendet e jug-lindjes së Evropës; Të drejtat e njeriut, demokracia, përmasa fetare e dialogut ndërkulturor e tjera.
Nga Shqipëria do të marrë pjesë shkëlqesia e tij imzot Rrok Mirdita, President i Konferencës ipeshkvnore katolike të Shqipërisë e kryeipeshkëv i Tiranë-Durrësit; nga Konferenca ndërkombëtare Shën Cirili e Metodi, do të jetë i pranishëm Presidenti i kësaj konference, shkëlqesia e tij imzot Zef Gashi, kryeipeshkëv i Tivarit.







All the contents on this site are copyrighted ©.