Shën Romani, abat, është një nga figurat më të njohura të monakizmit lindor. E, për
ta kuptuar veprimtarinë e tij, duhet kujtuar se takimet e murgjërve lindorë me murgjërit
perëndimorë u thelluan edhe si pasojë e internimeve të shpeshta, me të cilat u dënua
Shën Atanazi. Kështu, në shekullin IV nisi lulëzimin edhe monakizmi perëndimor, që
ndikoi fuqimisht në jetën shpirtërore e civile, duke krijuar kushte për lulëzimin
e një qytetërimi të ri. Mjafton të kujtojmë Shën Benediktin. Manastiri i parë
në Gali lindi në vitin 371, falë veprimtarisë së Shën Martinit të Turit. Pastaj nisën
të lulëzojnë më shumë abacitë, ndërmjet të cilave, ajo e Ainai, pranë Lionit, ku në
fillim të shekullit V jetoi murgu Roman. I pakënaqur nga rregulli, ndonëse tejet i
rreptë, sipas të cilit jetonin murgjërit e manastirit, në fillim deshi të ikte e
të jetonte në vetmi të plotë në pyjet e pashkelura për rreth. Por pastaj vendosi t’i
kërkonte leje e abatit. Si e siguroi këtë leje, duke marrë me vete vetëm një tekst
të Shkrimit Shenjt e veglat e punës, ngarkuar mbi shpinë, u nis drejt maleve të pazbuluara
të Xhurës. E i humbën gjurmët. Pikërisht zhdukja e tij kaq e çuditshme e shtyu të
vëllain, Lupiçinin, i cili sapo kishte mbetur i vejë, të nisej për ta kërkuar. E zbuloi
strehën primitive, ku jetonte, dhe u bashkua me të, duke tërhequr pas vetes edhe disa
burra të tjerë. Lindi, atëherë, nevoja për të ndërtuar dy manastire, një në Kondat
e një tjetër, në Lukon. Pastaj me ta u bashkua edhe një nga motrat e u ngrit edhe
manastiri i tretë, femëror, pak më larg manastireve mashkullore, në një zonë të quajtur
Bom, ku motra u zgjodh abateshë. Dy vëllezërit drejtonin, në harmoni të plotë, të
dyja bashkësitë. Temperamentet e tyre, krejt të kundërta, plotësonin njëri-tjetrin:
Romani kishte shpirt tolerant, pajtohej shpejt, donte me gjithë zemër e ishte gati
gjithnjë për t’i ndihmuar, ata që ia kërkonin ndihmën. Lupiçini ishte njeri i rreptë,
që nuk pranonte asnjë shkelje të rregullit, të cilin ai vetë, i pari, e zbatonte fjalë
për fjalë. Kështu, pas një korrjeje të begatë, kur murgjërit i harruan rregullat e
rrepta të agjërimit e hëngrën më shumë se duhet, Lupiçini i flaku të gjitha rezervat
ushqimore në përrua e dha urdhër që në sofër të shërbehej vetëm supë elbi. Dymbëdhjetë
murgjër, të lënduar nga ky teprim, u larguan nga kuvendi, por Romani, me lot në sy,
i ndoqi pas e iu lut të riktheheshin. E ata iu përgjigjen lotëve të tij, me dashuri
vëllazërore. E u kthyen. Kështu mirësia e butësia fituan mbi rreptësinë. Më vonë Shenjti
u nis për shtegtim tek varri i Shën Morisit, në Gjenevë, në shoqëri me një murg tjetër.
Gjatë rrugës, shtegtarët u strehuan në një kasolle, ku banonin dy të gërbulur. Romani,
sa i pa, nuk ngurroi t’i përqafonte. Të nesërmen ata panë, të mrekulluar, se ishin
shëruar plotësisht. Vrapuan, atëherë, në qytet, për t’ua treguar të gjithëve mrekullinë.
Shumë punë të bindshme ndodhën gjatë këtij shtegtimi. Pastaj Romani i ëmbël e mëshirshëm,
u rikthye përfundimisht në vetminë e Konadit, prej nga u nis për qiell para të vëllait
e së motrës, në vitin 463. Kishte lindur rreth vitit 390. Jetën e Shenjtit e mësojmë
përmes leximit të veprës hagjiografike “La Vita Patrum Jurensium”, shkruan prej njërit
nga ndjekësit e tij.