2012-02-27 14:00:00

Shqipëria përkujton 22 intelelktualët e vrarë nga regjimi komunist më 1951


Në Shqipëri, të shtunën e kaluar më 26 shkurt, u përkujtua dita e ekzekutimit të 22 intelektualëve shqiptarë nga diktatura komuniste më 26 shkurt të vitit 1951. Preteskti i vrasjes së intelektualëve shqiptarë nga regjimi komuniste ishte qe më 21 shkurt kishin shpërthyer një bombë në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. 22 intelektualët shqiptarë u ekzekutuan në mesnatë, në afërsi të urës së Beshirit, 15 km larg Tiranës, të lidhur dorë për dorë me zinxhir dhe u varrosën në një gropë të përbashkët.
Diktatura komuniste inskenoi në stilin e saj të ashtuquajturën bombë për justifikimin e një vale të re terrori që ndërmorri kundër figurave, të cilëve mund t'u njohim vetëm një faj, patriotizmin, antikomunizmin dhe formimin e tyre në vende të zhvilluara perëndimore.
Preteksti absurd për hedhjen e bombës në oborrin e ambasadës sovjetike, kur këta njerëz nuk kishin lidhje me këtë incident, erdhi si pasojë e kthesës politike të ish-ushëheqësit komunist Enver Hoxha drejt politikës së Moskës.
Në këtë ngjarje gjetën zbatim në mënyrë perfekte zbatimi i urdhrave dhe taktikave sovjetike në eliminimin e kundërshtarëve, duke ia kaluar madje edhe vetë udhëheqësit shpirtëror, Stalinit. Kjo masë e marrë nga sistemi jashtë ligjeve në fuqi solli pushkatimin e intelektualëve nga familje fisnike shqiptare dhe kjo do të vazhdonte edhe në të ardhmen me spastrimin, internimin e këtyre familjeve në breza dhe fis.
Intelektualët e vrarë nga diktatura komuniste më 26 shkurt 1951 ishin; Sabaha Kasimati, Mehmet Shkupi, Ali Qoralliu, Anton Delhysa, Gafur Jegeni, Fadil Dizdari, Gjon Temali, Haki Kodra, Jonuz Kaceli, Lluka Rankoviç, Manush Peshkopia, Myftar Jegeni, Niko Lezo, Pjerin Guraziu, Reiz Selfo, Zyhdi Herri, Tefik Shehu, Thoma Katundi.
Në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, në kujtim të 22 intelektualëve , "viktima të terrorit komunist", sot ndodhet një memorial, i ngritur në vitin 1993.

Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në përkujtim të këtyre viktimave të regjimit komunist, në një nga mediat vizive në Shqipëri, deklaroi se masakra e 26 shkurtit 1951 është një ditë që kërkon reflektim.
"Kjo është një detyrë, që duhet ta bëjë çdo shqiptar. Masakra e 26 shkurtit 1951 është një ditë që kërkon reflektim. Është një ditë kujtese, është një akuze, por është edhe një ditë ftese, për të kërkuar të falur", theksoi Topalli.
U pushkatuan 22 intelektualë, vijoi Topalli, pa ditur përse-në, pa avokat, pa prokuror, pa gjyq, pa vendim, thjeshtë sepse byroja politike kishte vendosur dhe se i duheshin disa të ekzekutuar.
"Në 100-vjetorin e Pavarësisë, të cilin unë e shikoj edhe si një përvjetor të një reflektimi të madh të shoqërisë shqiptare për të gjithë historinë tonë, kjo merr një vlerë reflektimi edhe më të lartë", tha ndër të tjera, Topalli.
Sipas saj, intelektualët u pushkatuan, kur Shqipëria ishte një ndër vendet më analfabete të Europës. Mes tyre, theksoi Topalli, u ekzekutua edhe një grua intelektuale, në moshë fare të re, thjeshtë sepse nuk pranonte komunizmin, sistemin e diktaturës, nuk pranonte që vendi jonë të drejtohej nga bandë kriminelësh.
"Përsa kohë në vendin tonë nuk do të ketë ndjesë, kërkesë për falje, nuk do të ketë reflektim, 26 shkurti, do të mbetet thellë, një ngjarje e dhimbshme për shoqërinë, politikën, për median, për drejtësinë", u shpreh Kryetarja e Kuvendit.
Ajo bëri të ditur se në javën e ardhshme, në seancën plenare do të përkujtohet kjo ditë, e një krimi makabër, që shqiptari e bëri kundër shqiptarëve, thjeshtë dhe vetëm sepse nuk pranonin sistemin, nuk pranonin dhunën, donin lirinë dhe ishin të drejtuar drejt perëndimit.
E pyetur se pse përkujtohet kjo ngjarje, ndërkohë që nga komunizmi ka plotë ngjarje që meritojnë reflektimin shoqëror, Topalli tha se kjo ngjarje duhet të jetë një ditë kujtese për çdo shqiptar.
"S'ka lidhje me pozicionin tim si Kryetare e Parlamentit, deputete apo qytetare e thjeshtë. Përsa kohë dhe përsa mundësi të kem për të ngritur zërin, natyrisht këtë ditë do t'a kujtoj dhe kjo duhet të jetë ditë kujtimi për çdo shqiptar", deklaroi Topalli.
Znj. Topalli tha se nuk është vetëm kjo ngjarje, ne do kujtojmë edhe përvjetorin e pushkatimit të grupit të deputetëve të vitit '46. "Ishin burra që e donin vendin, donin lirinë, donin vlerat e perëndimit. Në këtë 100-vjetor, sigurisht që reflektimi merr një vlerë më të madhe, për këtë ngjarje dhe për shumë ngjarje të tjera", nënvizoi ajo.
Këtë reflektim, vijoi, Topalli, e bëj unë, e bëjnë kolegët e mi, besoj do e bëjë dhe media, dhe të gjithë ata që e duan në thellësi të shpirtit, lirinë dhe vlerat e perëndimit.
Topalli i bëri thirrje të gjithë atyre që janë pjesë e trashëgimisë së kësaj dhune, të kërkojnë të falur. "Si shoqëri ne duhet të kërkojmë të falur. Të gjithë ne duhet të kërkojmë të falur. Vetëm kur të kërkojmë të falur dhe të kemi një reflektim të thellë, ndoshta, do të jetë pak më i lehtë kujtimi i kësaj dite", u shpreh Topalli..(ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.