2012-02-27 18:20:18

Sanksione të reja UE kundër Damaskut. Imzot Fitzgerald: dialog e ndihma humanitare


Pas referendumit mbi reformat kushtetuese në Siri, bojkotuar nga lëvizjet antiqeveritare, ministrat e jashtëm të BE-së miratuan një paketë të re masash ndëshkimore kundër qeverisë siriane. Ndërkaq dhuna vijon. Shumë të vdekur, edhe sot, posaçërisht në Homs. Vetëm pak ditë më parë, bashkësia ndërkombëtare i dënoi dhunën e regjimin, nga tribuna e Konferencës së Vendeve mike të Sirisë, mbajtur në Tuniz. Punimet i ndoqi edhe vëzhguesi i Selisë së Shenjtë pranë Lidhjes Arabe, imzot Michael Fitzgerald, nunc apostolik në Kairo. Prelati, në mikrofonin tonë, flet për rëndësinë e konferencës:RealAudioMP3

Përgjigje: - Konferenca e Tunizit dëshmoi shqetësimin e mbarë botës për situatën në Siri. Gjëja që ra më shumë në sy, qe se qeveria siriane nuk ishte e pranishme: të pranishëm, anëtarët e Këshillit kombëtar sirian, dmth opozita, por jo qeveria. Ishte takim i miqve të popullit sirian, jo i qeverisë aktuale të Sirisë. Në përfundim u kërkua, si gjëja më e rëndësishme, sigurimi i ndihmave humanitare, sepse ka shumë viktima; u kërkua edhe garancia nga ana e shtetit dhe e qeverisë siriane, për të lejuar hyrjen e mjekëve, të ilaçeve e të ushqimeve të domosdoshme për jetesën, që mungojnë në shumë zona.

Pyetje: - Kjo krizë është krejt e ndryshme, nga ato që kemi parë në Mesdhe. Bashkësia ndërkombëtare, me sa duket, nuk e ka ende të qartë si duhet përballuar ky çast tejet i vështirë e, sidomos, si duhet ndihmuar populli sirian…
Përgjigje: - Nuk ishin të pranishëm në takimin e Tunizit, as Rusia e as Kina, të cilat përdorën edhe veton në Këshillin e Sigurimit, por në Asamblenë e Përgjithshme shumica dërmuese e dënoi qeverinë siriane, dënoi përdorimin e dhunës kundër opozitës. Pra, mund të themi se shumë vende mbajtën qëndrim vërtet solidar, duke kërkuar një rrugëdalje sa më demokratike e paqësore të konfliktit në vijim. Bëhen përpjekje për ta shmangur konfliktin, luftën civile. Prej këndej u vendos të dërgohet Kofi Anan, si delegat i posaçëm, për të vëzhguar si po zhvillohen negociatat. Pra, mund të themi se nuk mungon dëshira për bisedime: Këshilli sirian thotë se është gati të dialogojë me elemete të qeverisë aktuale. Urojmë të gjinden këto elemente!







All the contents on this site are copyrighted ©.