Përvjetori i botimit të “Alfabetares së gjuhës shqipe” më 1897 në Stamboll
Duke shfletuar kalendarin historik, më 27 shkurt kujtojmë përvjetorin e botimit në
Stamboll të "Alfabetares së gjuhës shqipe" më 27 shkurt 1897. Për ta kuptuar rëndësinë
e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me
sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin,
të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit
turk, edhe me alfabetin turk-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit
të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.Që në fillimet e lëvizjes për çlirim
nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për
Rilindje të popullit shqiptar. Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani
Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1897 u botua në Stamboll "Alfabetarja e gjuhës
shqipe". Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit,
të cilët më 12 tetor 1879 themeluan "Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip",
shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe
dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin,
plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte
rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare. Në gjirin e saj bashkëpunuan
ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko
Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i
bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Gjithsesi çështja e alfabetit
të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh
më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti
që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip.