Papa: gjatë marsit të lutemi për të krishterët e persekutuar në Azi
“Të lutemi, që Shpirti Shenjt t’u japë hirin e durimit atyre të cilët, posaçërisht
në Azi, diskriminohen, persekutohen e kërcënohen me vdekje, për shkak të emrit të
Krishtit”. Ky është ndjeti misionar i lutjes së Benediktit XVI për muajin mars. Për
dëshminë, që i japin të krishterët e Azisë mbarë Kishës, intervistuam ipeshkvin indian
të Vasai, imzot Felix Anthony Machado:
Përgjigje:
- Kemi nevojë për këtë solidaritet, për lutjen e Kishës universale. E kemi
shumë nevojë, që Ati i Shenjtë të lutet për ne, kur ndodhemi në situata të vështira.
Vërtet për t’u admiruar durimi i atyre, që ecin në rrugën e fesë së krishterë, në
mes të vështirësive të papërshkrueshme, të cilat mund të trondisin edhe zemrat më
të forta. Është e trishtueshme kur shikon se të diskriminon deri qeveria e vendit
tënd, se nuk i ke të drejtat, që duhet t’i kesh, si njerëzit, që u përkasin feve të
tjera. Vetë Kisha këtu është e tronditur nga situata. Vështirë të kuptohet situata
jonë, nga njerëzit, që e jetojnë lirisht fenë e tyre. E kjo është vërtetë e trishtuar.
Pyetje: - Po rikujtojmë një thënie, që përsëritet pambarimisht në vende,
ku të krishterët martirizohen për hatër të Krishtit: “Gjaku i martirëve është fara
e të krishterëve të rinj”. E pati thënë Tertuliani, në kohët e lashta, kur ndjekësit
e Krishtit martirizoheshin në njëmijë mënyra. Kohët e amfiteatrove duhet të kishin
perënduar përgjithmonë. Por kjo, siç po dëshmoni ju, nuk është e vërtetë. Gjaku i
të krishterëve vijon të derdhet në vise të ndryshme të rruzullit e të bëhet farë e
mirë për jetën e botës….
Përgjigje: - Kjo, pa asnjë dyshim,
është vetë historia e Kishës. Kur na persekutojnë për veprat tona të mira, Kisha bëhet
edhe më e fuqishme, më e besueshme. Edhe mënyra, si sillemi, ka rëndësi të jashtëzakonshme.
Kur Kisha reagon duke u lidhur gjithnjë më ngushtë me Jezu Krishtin e me Fjalën e
tij, jeta e Kishës lulëzon. Sa më pranë Krishtit, aq më shumë jetë shpirtërore e ndikim
mbi botën.
Pyetje: - Si po e jetojnë të krishterët e Indisë Kohën
e Kreshmëve?
Përgjigje: - Në Indi, kjo kohë jetohet gjithnjë
me shumë përshpirtëri. I nisëm Kreshmët me të Mërkurën e Përhime e mund të them se
në famullinë, ku shkova si ipeshkëv, për përhimjen e besimtarëve, kremtimin e ndoqën
me mijëra vetë. Të krishterët indianë e jetojnë këtë kohë me entuziazëm të madh e,
natyrisht, edhe me fljime të mëdha, të bëra vullnetarisht, sepse duan të pendohen
vërtet, të bëjnë kthesë të vërtetë të zemrës. E kjo mua, si bari, më bën të lum. Nuk
mund të mos kujtojmë, në përfundim të intervistës së Ipeshkvit indian të besimtarëve
të persekutuar, se Papa na fton të lutemi bashkë me të, gjatë tërë muajit mars, që
Shpirti Shenjt t’u japë hirin e durimit të gjithë atyre të cilët, në vise e rrethana
nga më të ndryshmet, merren padrejtësisht nëpër këmbë për shkak të emrit të Krishtit.