Sulm i ri në Nigeri kundër kishës protestante të Josh: tre të vdekur e rreth 40 të
plagosur.
Atentat i ri, sot paradite, në zonën e Josh, në shtetin Plato të Nigerisë. Një grup
burrash të armatosur hyri me forcë në selinë e ‘Kishës së Krishtit në Nigeri’, duke
vrarë 3 besimtarë e duke plagosur rreth 38 të tjerë. Në zonë mbetet i hapur konflikti
ndërmjet popullsisë vendase të etnisë berom dhe asaj hausa, ardhur nga veriu. Edhe
kësaj here duket qartë se sulmi është vepër e sektit ekstremist Boko Haram. E konfirmon
Petrik Tor Alumuku, drejtor i departamentit të komunikimit, pranë kryedioqezës
së Abuzhës, me telefon, nga Nigeria: Përgjigje: - Në këtë çast
mendohet se përgjegjës për krimin e ri, duhet të jetë përsëri Boko Haram. Nga njoftimet
që pata pak kohë më parë, mora vesh se terroristët, para se të hynin në kishë, sulmuan
personelin e sigurisë.
Pyetje: - Me sa duket jemi para së njëjtës
taktikë, me të cilën jemi njohur edhe në sulmet e tjera: sulmohet me fëtyrë të mbuluar
dhe qëllohet pa mëshirë mbi turmën e njerëzve, që luten…
Përgjigje: -
Pikërisht, janë ata. Thuhet se ky grup terrorist është i lidhur me Al Kaedën e se
sulmon kudo në mënyrë shkatrrimtare. Si në këtë rast, mbi Kishën e Krishtit në Nigeri,
Kishë pentekostale e tipit luteran. Pyetje: - Si reagon qeveria, përballë
kësaj serie sulmesh gjakatare? E Kisha, si i ndjek këto atentate?
Përgjigje:
- Qeveria po bën ç’është e mundur t’i japë fund një situate të tillë,
duke punuar kryesisht për një siguri më të madhe në vend. Edhe Kisha po mundohet t’i
mbrojë të gjitha ndërtesat e kultit, në hyrje, në dalje dhe në rrugët kufitare. Prandaj
nuk është aq e lehtë të hysh në kishë, posaçërisht të dielave. Por kur sulmojnë njerëz
të armatosur, nuk e kanë shumë vështirë të bëjnë, atë që bënë sot.