Sot Papa dhe Kuria Romake filluan Ushtrimet Shpirtërore
.Sot, e para e Diele e Kreshmëve, në Kapelën e ‘Nënës së Shëlbuesit’, në Vatikan,
filluan Ushtrimet Shpirtërore të Kuries Romake, për përgatitjen e Pashkëve. I pranishëm,
edhe Benedikti XVI. Tema e zgjedhur për 2012-tën është “Bashkimi i të krishterit
me Zotin”, shkëputur nga Letra e parë e Shën Gjonit: “E bashkësia jonë është me Atin
e me Birin e tij Jezu Krishtin” (Gjn1,3). Meditimet po i propozon kardinali Laurent
Monsengvo Pasinia, kryeipeshkëv i Kinshasës, në Republikën Demokratike të Kongos,
Ushtrimet shpirtërore nisën sot, në orën 18.00, me Ekspozimin e Eukaristisë, pasuar
nga kremtimi i Lutjeve mbrëmësore, adhurimi dhe bekimi eukaristik. Ditët e ardhshme,
paradite, do të kremtohen Uratët e mëngjesit dhe ato të Orës së tretë, ndërsa pasdite,
Lutjet mbrëmësore, adhurimi dhe bekimi eukaristik. Meditimi përfundimtar do të
mbahet të shtunën, më 3 mars, në orën 9.00.