2012-02-26 17:33:33

Sllovaki: Imzot Fizikela: “Të dëgjojmë urdhërin për të ungjillëzuar”


Kriza, që përballon sot bota, nuk është vetëm ekonomike e financiare, por edhe, e kryesisht, kulturore e antropologjike. Këtë theksoi imzot Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për ungjillëzimin e ri, gjatë një konference ndërkombëtare, që vijon në Bratislavë, kushtuar sfidave të kulturës së re, organizuar nga Konferenca ipeshkvnore e Sllovakisë. Imzot Fizikela shpjegoi se instancat shoqërore ngrihen gjithnjë në emër të drejtësisë e të barazisë, por, në parim, sot vërehet prirja për të jetuar në një mënyrë gjithnjë më të pavarur. Në këtë përpjekje, Zoti bëhet hamendje panevojshme, që duhet harruar, madje, duhet zhdukur fare. Prej këndej, imzot Fizikela vuri theksin mbi nevojën urgjente të ungjillëzimit të ri, duke theksuar se njeriu i sotëm ka prirjen të jetojë vetëm për vetvete, pa horizonte më të gjera. Ungjillëzimi i ri - vijoi prelati- varet sa nga bindja se hiri hyjnor mund ta shndërrojë njeriun, ta ndihmojë të pendohet, të bëjë kthesë, aq edhe nga besueshmëria e dëshmisë sonë. Sipas kryetarit të Këshillit Papnor për ungjillëzimin e ri, Kisha ungjillëzon, sepse duhet t’i bindet urdhërit të Zotit për t’ia çuar Ungjillin e Tij çdo krijese. E kjo është edhe bërthama e projektit për vitet e ardhshme. Kërkon nga ne të aftësohemi për ta kuptuar plotësisht përgjegjësinë, që na beson Kisha e Krishtit - përfundoi imzot Fizikela.







All the contents on this site are copyrighted ©.