2012-02-26 17:33:01

Siri: të krishterët, të kërcënuar nga dhuna, ikin nga vendi


“Të krishterët janë pakica më e kërcënuar nga lufta civile siriane. Të lodhur nga dhuna, po përpiqen të ikin. E ndjejnë veten fare pa mbrojtje, përballë shkallëzimit të dhunës, që ka pushtuar vendin. Lutuni për paqen e pajtimin e popullit sirian”: ftesa, në AziaNjuz, është e imzot Antuë Audo, kryeipeshkëv kalde i Alepit. Ne, të krishterët, nënvizon prelati, jemi më të ligësht në këndvështrimin psikologjik e edhe në atë të vetëmbrojtjes. Nuk mund t’i përgjigjemi dhunës me dhunë. Prandaj, e vetmja rrugë për të shpëtuar jetën, mbetet ikja nga vatrat, siç po ndodh në të gjitha vendet e Lindjes së Mesme, posaçërisht në Irak. E ky është një dëm i rëndë për Kishën e për praninë e të krishterëve në Siri. Duke kujtuar ftesën e Papës për dialog, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 12 shkurtit të kaluar, imzot Audo shpjegon se, pavarësisht nga frika, të krishterët mund të jenë një urë, që lidh fraksionet në luftë. Prania jonë, bashkuar rreth Kishës, pohon, e ndihmon si popullsinë e krishterë, ashtu edhe atë myslimane, të punojë për të mirën e vendit, duke krijuar frymën e pajtimit, jo atë të hakmarrjes. Prelati kujton edhe punën e Karitasit Sirian, që këto ditë po ndihmon, në Homs, një nga qytetet më të dëmtuara nga dhuna, më se 500 familje: 400 të krishtera e 100 myslimane. Karitasi është gjithnjë pranë pleqve e të sëmurëve, falë vullnetarëve që, në Alep, aktivizojnë të gjithë bashkësinë e krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.