2012-02-26 17:31:31

Papa për infertilitetin e çiftit: kundër logjikës së fitimit, përkrah shkencës, që mbron dinjitetin e njeriut


“Martesa e një burri me një grua, është e vetmja rrugë e denjë për të sjellë në jetë një krijese të re njerëzore, që është gjithnjë dhuratë”. Kështu u shpreh dje Papa, duke pritur në audiencë 200 pjesëmarrësit në Asamblenë XVIII të përgjithshme të Akademisë Papnore për Jetën, në përfundim të punimeve, kushtuar temës: “Diagnoza dhe mjekimi i infertilitetit”. Kujtojmë se punimet e Asamblesë filluan të enjten e kaluar, në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan.
Papa i porositi të pranishmit të vijojnë kërkimet, duke ecur në rrugën e shkencës së ndershme, të frymëzuar gjithnjë nga përpjekja për të mirën e njeriut, pa harruar dialogun me fenë, e dhe dialogun ndërmjet përmasës etike dhe asaj të kërkimit shkencor biomjekësor:
“Kjo përpjekje nxitet jo vetëm nga dëshira për t’i dhuruar një fëmijë çiftit, por edhe për t’u kthyer bashkëshortëve fertilitetin dhe dinjitetin si përgjegjës për lindjen e fëmijëve e si bashkëpunëtorë të Hyjit, në krijimin e një njeriu të ri. Pa harruar se lidhja e burrit me gruan në bashkësinë e dashurisë e të jetës, që është martesa, përbën të vetmen rrugë të denjë për ardhjen në jetë të një krijese të re njerëzore, që është gjithnjë dhuratë”.
Duke kujtuar Udhëzimin Donum vitae, Benedikti XVI nënvizoi se dëshira e ligjshme për t’u bërë prindër e burrit dhe gruas, që jetojnë në kushtet e infertilitetit, duhet të gjejë, me ndihmën e shkencës, një përgjigje, që e respekton plotësisht dinjitetin e tyre si njerëz e si bashkëshortë. Përballë infertilitetit të çiftit, u kujtoi Ati i Shenjtë të pranishmëve, ju vendosët të kujtoni e të çmoni përmasën morale, duke kërkuar rrugë për vlerësimin korrekt diagnostik dhe për zhdukjen e shkaqeve të infertilitetit:
“Dinjiteti njerëzor e kristian i lindjes së fëmijës, nuk qëndron tek “prodhimi”, por tek lidhja me aktin bashkëshortor, tek shprehja e dashurisë së bashkëshortëve, tek bashkimi jo vetëm biologjik , por edhe shpirtëror”.
Prej këndej, Benedikti XVI preku edhe problemet e teknologjisë së fekondimit artificial, duke u kërkuar anëtarëve të Akademisë Papnore t’i thellojnë këto problematika, në favor të mbrojtjes së jetës. Në dhjetë vjetorin e Enciklikës Fides et ratio, më 2008, Papa pati kujtuar se sot mundësia për fitime të kollajshme, ose, edhe më keq akoma, arroganca e disa shkencëtarëve, që mendojnë se mund të zëvendësojnë Krijuesin, luajnë nganjëherë rol vendimtar, duke krijuar një rrezik të vërtetë për njeriun. E ritheksoi këtë edhe në takimin e djeshëm:
“Shkencizmi dhe logjika e fitimit duket sikur sundojnë sot në fushën e infertilitetit e të lindjes së fëmijëve, duke arritur të kufizojnë edhe shumë zona të tjera të kërkimit shkencor”.
Ky, shqetësimi i Papës, i cili u kujtoi bashkëshortëve, që jetojnë në kushte infertiliteti, se një gjendje e tillë nuk e errëson martesën e tyre. Ata janë gjithnjë të thirrur të bashkëpunojnë me Zotin për të krijuar jetë të reja. Thirrja për të dashur, është thirrje për të dhuruar vetveten; këtë mundësi nuk mund ta pengojë asnjë kusht organik. Prej këndej, atje ku shkenca nuk gjen përgjigje, përgjigjja, që jep dritë, vjen nga Krishti
Fjalët e fundit Papa ua drejtoi shkencëtarëve:
“Njerëzit kanë besim tek ju, që i shërbeni jetës, kanë besim në impenjimin tuaj për ta ndihmuar njeriun, që ka nevojë për ngushëllim e shpresë. Mos u tundoni kurrë për ta trajtuar të mirën e njeriut si problem thjesht teknik. Indiferenca e ndërgjegjes përballë së vërtetës e së mirës përbën një kërcënim të rrezikshëm për përparimin e vërtetë shkencor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.