2012-02-26 17:31:47

Papa në Engjëllin e Tënzot: Kreshmët, kohë e përshtatshme për të forcuar lidhjen tonë me Hyjin.


Lutje, gjeste pendese e vepra dashurie vëllazërore. Kështu, në kohën e Kreshmëve, forcohet lidhja jonë me Zotin. E theksoi Papa sot, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në mesditë, në sa pasdite në Vatikan nisën Ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake.RealAudioMP3

Kreshmët, kohë e përshtatshme për të forcuar lidhjen tonë me Zotin. Ky ishte thelbi i reflektimit të Papës sot paradite, gjatë kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot të së Dielës së parë të Kreshmëve. Benedikti XVI kujtoi se Jezusi, pasi mori Pagëzimin në lumin Jordan, prej Gjon Pagëzuesit, u tundua nga djalli në shkreti, ashtu si na tregon Ungjilli i Shën Markut: “Jezusi ndenji në shkreti 40 ditë, i tunduar nga Shejtani”, kujtoi Papa, e më pas shpjegoi kuptimet e ndryshme simbolike të shkretisë. Shkretia mund të jetë vend i braktisjes e i vetmisë, ku shfaqet më dukshëm ligështia e njeriut, i cili endet pa kurrfarë sigurie, prej këndej, mund të tundohet më lehtë e më fort. Por shkretia mund të simbolizojë edhe një vend, ku njeriu gjen strehë e mbrojtje, si në rastin e popullit të Izraelit, që kishte ikur nga skllavëria egjiptiane. Në shkretëtirë mund të ndjehet thellësisht prania e Zotit. Njeriu mund ta ndjejë veten, ashtu si e ndjeu Zoti që, shpjegoi Benedikti XVI duke cituar Shën Leonin e Madh, deshi vetë ta pësonte sulmin e tunduesit, për t’u mbrojtur me ndihmën e Atit e për të dhënë, me shembullin e tij, një mësim të çmuar. Na siguroi, kështu, se edhe njeriu më i ligësht, që ecën në gjurmët e Zotit, mund të fitojë mbi çdo tundim e çdo tundues.
Ç’ mund të mësojmë akoma, nga ky episod? Siç lexojmë në Librin “Të përngjarët e Krishtit”: njeriu, sa të jetë gjallë, nuk mund të shpëtojë kurrë plotësisht nga tundimi, por me durim e përvujtëri, mund të bëhet më i fortë se çdo armik:
“Durim e përvujtëri për të ndjekur çdo ditë Zotin, duke u mësuar ta ndërtojmë jetën tonë jo jashtë Tij, e aq më pak, sikur të mos ekzistonte, por në Të e me Të, sepse Ai është burimi i jetës së vërtetë. Tundimi për ta zhdukur Zotin, për të vënë në rregull vetveten e botën, duke u mbështeur vetëm në forcat vetjake, është gjithnjë i pranishëm në historinë e njeriut”.
Pastaj mes nesh vjen Jezusi e ndodh diçka krejt e re; Zoti, shtoi Papa, kumton se koha është përmbushur e se Mbretëria e Hyjit është fare pranë. Krishti i drejtohet njeriut në një mënyrë krejt të re e të papritur, me një afërsi të pashoqe, konkrete, plot dashuri; zbret nga qielli dhe hyn në botën e njeriut, për të marrë mbi vete mëkatet e tij, për ta mundur të keqen e për t’i prirë kah bota e Atit qiellor. Po ky kumtim, vijoi Papa, shoqërohet edhe me kërkesën që njeriu të jetë i denjë për një dhuratë kaq të madhe:
Jezusi shton: ‘Pendojuni e besoni në Ungjill’; është ftesa për të pasur besim në Zotin e për të bërë vullnetin e tij çdo ditë të jetës sonë, duke e vënë çdo veprim e çdo mendim në shërbim të së mirës. Koha e Kreshmëve është çast i përshtatshëm për ta përtërirë e për ta forcuar gjithnjë më shumë lidhjen tonë me Zotin, përmes lutjes së përditshme, gjesteve të pendesës, veprave të dashurisë vëllazërore”.
Pasi u lut për udhën kreshmore të saponisur, Papa u kujtoi besimtarëve se sot do të fillonin Ushtrimet shpirtërore në Vatikan:
“Ia besoj lutjes suaj javën e Ushtrimeve shpirtërore, që do ta filloj sonte me bashkëpunëtorët e mi të Kuries Romake”.
Në përfundim, Papa i përshëndeti të pranishmit në gjuhë të ndryshme, duke i porositur edhe një herë ta shfrytëzojnë këtë kohë për t’u lutur, për t’u penduar, për ta njohur sa më mirë Jezusin, për të bërë kthesë e për të ndërruar jetë, me gjeste mëshire, faljeje e pajtimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.