Me 26 shkurt kalendari kujton shën Faustinianin, ipeshkëv i Bolonjës
Shenjti ishte ipeshkvi i dytë i Bolonjës. Me predikimet tij e forcoi shumë Kishën
e ligështuar nga persekutimet. Nën drejtimin e Shenjtit, bashkësia e krishterë rifilloi
lulëzimin. Sipas listës më të lashtë të ipeshkvijve të kryedioqezës së Bolonjës,
që njihet me emrin “Lista renane”, shkruar para shekullit XIV, Shën Faustiniani është
ipeshkvi i dytë i vendit. Ky lajm konfirmohet edhe nga një mbishkrim me shkronja gotike,
para vitit 1494, ku shënohet se Shën Xama ishte ipeshkvi i parë ; i dyti, shën Faustiniani.
Sipas disa studiuesve, ky Shenjt përmendet nga Shën Athanasi, ipeshkëv i Aleksandrisë,
në Apologjinë e tij kundër Arianit, në një listë ipeshkvijsh italianë, pjesëmarrës
në Koncilin e Sardikës (emri i lashtë i Sofies, në Bullgari), në vitin 343. Ka shumë
mundësi që kjo të jetë e vërtetë, mbasi shumica e këtyre ipeshkvijve, ishte nga viset
e bregdetit Adriatik. Në këtë Koncil, sipas dëshmive historike, ishin të pranishëm
edhe Ipeshkvijtë e Ilirikut. Shën Athanasi e kujton me emrin Faustinus, por nuk
duhet harruar se në lashtësi ishte e zakonshme që njerëzit të thirreshin me emra të
shkurtuar, në rastin tonë, nga Faustinianus, në Faustinus ose edhe më shkurt, Faustus.
Sipas traditës bolonjeze, Shën Faustiniani, vdekur në vitin 313, e predikoi fenë në
Bolonjë, në vitet 343, në kohën e persekutimit të Dioklecianit. Datat nuk përkojnë,
edhe pse selia ipeshkvnore e Bolonjës nuk duhet të jetë themeluar para shekullit IV. Kulti
i Shenjtit filloi vetëm pas shekullit XII; ndërsa në vitin 1586, kardinali Gabriele
Paleoti, i mbarti reliket e Faustinianit ipeshkëv, që kremtohet më 26 shkurt, në katedralen
e qytetit, ku nderohen edhe sot.