Duke shfletuar kalendarin historik, më 25 shkurt përkujtojmë ipeshkvin imzot Nikë
Prelën në 16 vjetorin e vdekjes. Imzot Nikë Prela, lindi në Kotorr të Malit të
Zi më 3 qershor 1918. Ndoqi rrugën e meshtarisë që e çoi në detyrën e shërbimit të
artë ipeshkvnor në dioqezën e lashtë të Shkup-Prizrenit, ku shërbeu si bari i kujdesshëm
nga viti 1970 deri në vdekje më 1996. Jetoi me Zotin e për Zotin, me popullin
e për popullin, duke shkrirë të gjitha energjitë e veta për ta ndriçuar me dritën
e Ungjillit. Si meshtar, punoi me të gjitha forcat, me fjalë e me vepra për të kumtuar
Ungjillin e Krishtit; si ipeshkëv, tregoi kujdes të veçantë për thirrjet meshtarake
e talentet e ri, duke i hapur rrugën lulëzimit të veprimtarisë fetare, kulturore e
atdhetare. Botoi një sërë veprash, ndërmjet të cilave, Fjalorin Biblik. Si atdhedashës,
të cilit i dhimbej vendi e populli i vet, trokiti portë më portë në zyrat e larta
kudo nëpër botë për të mbrojtur me shkopin e bariut, grigjën që i qe besuar, rrethuar
nga ujqër të uritur. Dha kështu një kontribut të shquar në ndërkombëtarizimin e çështjes
shqiptare, posaçërisht atë të Kosovës. Imzot Nikë Prela thoshte shpesh: “Populli
shqiptar ende nuk ka dal në skenë, sepse me shekuj ka qenë i ndrydhur e ka vuajtur
shumë. Ky “kapital” flijimi e gjaku që është derdhur pafaj na dhuroi Gjergj Kastriotin
– Skënderbeun dhe Nënë Terezën. E kjo është vetëm një “hyrje” e antifonë e njerëzve
të mëdhenj që kemi pasur dhe do t’i kemi”. Dr. Ibrahim Rugova në takim me imzot
Nikë Prelën me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së ipeshkvit të jashtëzakonshëm shqiptar
imzot Pjetër Bogdanit dhe të ngritjes së bustit të tij në oborrin e Kishës Katolike
në Prishtinë më 10 dhjetor 1989, mes tjerash tha: “Shkëlqesi, tani kemi mbetur pothuaj
se pa asnjë strukturë. Ju e Kisha Katolike keni mundësi ta paraqitni gjendjen tonë
në botë dhe t’ na mbroni, siç bëri gjatë shekujve kleri ynë, sidomos imzot Pjetër
Bogdani e shumë të tjerë… Bota ka besim në ju. Ne duhet të bashkëpunojmë sa më tepër…”. Imzot
Nikë Prela iu përgjigj dr. Ibrahim Rugovës me këto fjalë: “Kisha jonë është e do të
jetë gjithmonë me popullin e nëpërkëmbur. Pa popull s’ do ta kemi as Kishën. Çdo shqiptar
është vëllai apo motra ime… Unë në popullin tim shqiptar e gjeta vetveten, gjeta mundësinë
t’i shërbeja Zotit e popullit sipas parimit të ipeshkvit të madh imzot Pjetër Bogdanit:
‘Fati i popullit tim është fati im!’…”. Me rastin e vdekjes së imzot Nikë Prelës
(25 shkurt 1996), dr. Ibrahim Rugova pati thënë: “Shëmbëlltyra e ndritshme e ipeshkvit
Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, kurse vepra e tij përherë
e gjallë e brenda nesh”. Ditën e varrimit të tij Presidenti Rugova e shpalli ditë
zie për Kosovën. Në takime të shumta që patën këto dy personalitete, trajtuan përherë
paraqitjen e vlerave të popullit e të vendit para botës, për të bërë në mënyrë që
kauza kosovare përbashkët, do të thotë e drejta e pamohueshme e lirisë dhe e pavarësisë
së popullit kosovar të mbrohet e çohet përpara. Në një takim të fundit mes imzot
Nikë Prelës e dr. Ibrahim Rugovës më 4 shtator 1995, kur tashmë ipeshkvi Prela ishte
i sëmurë me këmbë të amputuar e rrinte në karrocë, ai iu drejtuar Presidentit Rugova:
“Tani edhe unë i përngjaj Jezu Krishtit, popullit tim shqiptar, sepse vuaj shumë dhe
të gjitha këto vuajtje ia paraqes Zotit për të mirën e popullit tonë, për ju e punën
tuaj të madhe në dobi të paqes…”