2012-02-24 17:57:11

Ora e Somalisë? Urimi e shpresa e atë Lombardit.


Një impenjim i fortë ndërkombëtar në favor të rindërtimit të Somalisë. Në këtë përfundim arriti dje Konferenca, mbajtur në Londër, me pjesëmarrjen e më se 50 shteteve. Vendi i Bririt të Afrikës duhet të zgjedhë, deri në verë, një asamble kushtetuese, të aftë për t’iu kundërvënë varfërisë, terrorizmit e piraterisë. Nuk do të ketë asnjë shtyrje afati për mandatin e qeverisë tranzitore somale, që përfundon në gusht. Parashikohet dhe krijimi i Këshillit të përbashkët për administrimin financiar, një mekanizëm i ri monitorazhi për të siguruar më shumë transperencë në mbarështimin e të ardhurave, duke përfshirë edhe ndihmat ndërkombëtare. Ndërkaq, sot paradite, disa “drone”, siç quhen aeroplanët pa pilot, goditën një kolonë integralistësh të Shabab, duke vrarë të paktën 6 prej milicëve. Mbi rëndësinë e Konferencës ndërkombëtare kushtuar Somalisë, të dëgjojmë drejtorin tonë, atë Federiko Lombardi, në editorialin për Octava Dies, e Përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:

“Të gjithë urojnë të jetë pikënisje për rindërtimin e institucioneve shtetërore, në një vend ku mungojnë prej më se njëzet vitesh, të shkatërruara nga mungesa e stabilitetit e nga lufta e brendshme. Një vend i varfër, i braktisur nga bashkësia ndërkombëtare, i pushtuar nga kaosi e dhuna, ku, me kohë, doli në skenë edhe pirateria në detet rreth e qark. Luftë, zi buke, mjerim: shuplakat e lashta mbi fytyrën e njerëzimit, vijojnë të godasin popullsitë e këtij vendi, që humbasin deri kuptimin e shpresës. Vështirë të flasësh për shifra të sakta të të vdekurve. Janë tepër e krejt të panjohura. Sigurisht, një pjesë e mirë, fëmijë, e dëshmitë e refugjatëve për dhunën e ushtruar nga milicët Shabab, të rrënqethin shtatin. Katolikët janë krejt pakicë e, në shumë zona, nuk janë fare të pranishëm. Por edhe ata kanë pasur një aradhe martirësh, në solidaritet me popullin e shumëvuajtur. Kujtojmë vetëm disa prej tyre: imzot Kolombo, ipeshkvi i fundmë me seli në Mogadisho, i vrarë në vitin 1989 pranë katedrales; Graciela Fumagali, vullnetare laike, mjeke, vrarë në spitalin ku punonte, më 1995; Analena Toneli, edhe ajo vullnetare laike e mjeke, vrarë më 2006 . “Uroj që mbarë Kisha - pati shkruar Analena, pak ditë para se të vritej – të kuptojë e të pranojë gjithnjë edhe atë, që në dukje është humbje, por që në të vërtetë duhet parë si fitore: fitore e dashurisë, asaj dashurie, që është vërtetësi, mirësi, impenjim për pajtimin, paqen e rindërtimin e Somalisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.