20 vjetori emigracionit shqiptar në Itali më 2 mars në Tiranë
.“20 VJET EMIGRACION SHQIPTAR NË ITALI. Të dhëna, përsiatje, njerëz, politika dhe
perspektiva të ardhshme” Ky është titulli i Konferencës së organizuar nga INAS,
RAT, AGORÀ e FAI CISL, që do të zhvillohet në Tiranë, më 2 mars 2012, ora 9.00 – 17.00,
në mjediset e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Blv. Gjergj Fishta, nr. 52. Si
paraqitet profili i emigracionit shqiptar në Itali pas 20 vjet emigracion? Sa shqiptarë
banojnë e si janë të shpërndarë në territorin italian? Ku punojnë kryesisht? Cila
është gjendja civile e shqiptarëve që jetojnë në vendin fqinjë? Po ndarja sipas gjinisë?
Sa të mitur e pensionistë shqiptarë jetojnë përtej detit? Çfarë bëhet për mbrojtjen
e të drejtave të tyre? Cilat janë politikat që ndjek shteti italian në fushën e imigracionit?
Po qeveria shqiptare çfarë strategjie po ndjek në lëmin e emigracionit? Çfarë imazhi
kanë bashkatdhetarët tanë në Itali? Cilat janë perspektivat e ardhshme të emigrantëve
shqiptarë? Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave, lidhur me një nga dukuritë më të
rëndësishme sociale, do t’u përgjigjen studiuesit, politikanët, gazetarët, diplomatët,
përfaqësuesit e organizatave të ndryshme, pra një sërë autoritetesh të fushës, italiane
e shqiptare, që janë ftuar të japin kontributin e tyre në konferencë. Konferenca
bëhet nën patronazhin e Ambasadës italiane në Tiranë dhe të Ministrisë së Punës, çështjeve
sociale dhe shanseve të barabarta.