2012-02-22 15:35:26

Ndihma e Selisë së Shenjtë për nëntë vende të Sahelit, dëmtuar nga thatësira dhe shkretimi


Para pak kohësh, përfundoi në Romë, Sesioni i 30-të i Këshillit Administrativ të Fondacionit “Gjon Pali II për Sahelin”, organizëm i formuar nga Papa Vojtila, pas vizitës së tij të parë në Afrikë, gjatë së cilës i bëri përshtypje të madhe tragjedia e shkaktuar nga thatësira e nga shkretimi i zonave të tëra. Duke u folur pjesëmarrësve në sesion, Benedikti XVI i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të merret seriozisht me popullsitë e Sahelit, të cilat varfërohen edhe më shumë për shkak të pakësimit të ushqimit e të zisë së bukës. Prej kohësh nuk bie shi e dezertifikimi përparon me hapa gjigante. Sekretari i Këshilli Papnor “Cor Unum”, imzot Xhampietro Dal Tozo, shpjegon në mikrofonin tonë, cilat janë iniciativat konkrete, që dolën nga ky sesion i fundit. Kujtojmë se Fondacioni bën pjesë në Këshillin Papnor “Cor Unum”:RealAudioMP3
Edhe kësaj radhe, Këshilli Administrativ kishte si qëllim kryesor studimin e projekteve, që i paraqiten çdo vit Fondacionit për financim. Kësaj here i kapërcejmë dy milion dollarë ndihma për gati 200 projekte, në nëntë vendet anëtare të Fondacionit. Veçanërisht, ato kanë të bëjnë me luftën kundër shkretimit, kundër thatësirës, synojnë të sigurojnë ujitjen dhe formimin e njerëzve. Këtë vit, këshilli ka pasur edhe një qëllim të dytë. Përveç miratimit të projekteve, reflektuam edhe mbi kuptimin që ka ekzistenca e një Fondacioni papnor për Sahelin, duke u thelluar në arsyet, që e nxitën atëherë Gjon Palin II për këtë gjest profetik. Fakti që, edhe sivjet, problemi i thatësirës është mëse aktual, tregon sa e rëndësishme është ndërhyrja në këtë sektor. Prandaj, Këshilli Administrativ theksoi nevojën e forcimit të pranisë së Fondacionit në nëntë vende anëtare.
Kujtojmë se Saheli është një zonë gjeografike, që ndan shkretëtirën e Saharës nga pjesa jugore e Afrikës, ajo që njihet si “Afrika e zezë”. Zona kalon përmes Mauritanisë, Malit, Burkina Fasos, jugut të Algjerisë, Nigerit, veriut të Nigerisë, Çadit, Sudanit, veriut të Kamerunit dhe Eritresë. Cila është gjendja, aktualisht?
Siç tha edhe Ati i Shenjtë, në fjalimin drejtuar anëtarëve të Këshillit Administrativ, aktualisht, ka vështirësi më të mëdha se vitet e tjera, për shkak të mungesës së shiut. Thatësira e shkaktuar nga mungesa e shiut ndikon negativisht mbi bujqësinë, prandaj, prodhohet më pak ushqim, pakësimi i të cilit do të arrijë kulmin muajt e ardhshëm. Gjithsesi, si organizma të ndryshme kishtare, ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare, po punojnë për ta shmangur këtë krizë. Për Kishën Katolike, e cila vepron në këto vende, ku shumica janë myslimanë, ose anëtarë të feve tradicionale afrikane, kjo do të thotë të dëshmojë Krishtin përmes bamirësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.