2012-02-22 18:57:19

Benedikti XVI kremtoi të Mërkurën e Përhime në Bazilikën romake të Shën Sabinës.


Me të Mërkurën e Përhime, filloi edhe Koha e Kreshmëve. Paradite Papa u takua me shtegtarët në audiencën e zakonshme të përgjithshme në Vatikan, ndërsa pasdite shkoi në Aventin, ku kryesoi një takim urate në formën e “Stacioneve” romake.RealAudioMP3
Kremtimi filloi me një çast lutjeje në Kishën e Shën Anselmit e vijoi me proçesionin drejt Bazilikës së Shën Sabinës, ku u kremtua Eukaristia me ritin e përhimjes.
Homelia e Papës ishte një reflektim kushtuar shenjës liturgjike të hinit, tipike për të mërkurën e Përhime, ditë pendese e agjërimi. Është shenjë materiale, element i natyrës, por që, në liturgji kthehet në simbol të shenjtë, tepër të rëndësishëm për këtë ditë, me të cilën nis udha kreshmore. Në lashtësi, kujtoi Benedikti XVI në vijim të homelisë, përsëritej shpesh zakoni i përhimjes së kokës, si shenjë pendese, ashtu si edhe veshja me thes ose me lecka. Ndërsa ne, të krishterët, e përhijmë kokën vetëm në këtë çast, që fiton vlerë të madhe rituale e shpirtërore.
Pikë së pari, hini është një nga ato shenja materiale që sjellin kozmosin brenda Liturgjisë, shpjegoi Papa, duke kujtuar se simbolet kryesore të Sakramenteve janë uji, vaji, buka e vera, që bëhen lëndë të mirëfillta sakramentore, mjet, përmes të cilit na përcillet hiri hyjnor i Krishtit, i cili arrin deri tek ne. Në rastin e hinit, shpjegoi Papa, nuk kemi të bëjmë me një shenjë sakramentore, por me një simbol, që lidhet ngushtë me lutjen e shenjtërimin e popullit të krishterë.
Benedikti XVI e vijoi reflektimin, duke shpjeguar gjithë ritin, që nis me bekimin e hinit. Bekimi mund të bëhet me dy formula, ndër të cilat, formula e shkëputur nga Libri i Zanafillës, që mund të shoqërojë edhe gjestin e përhimjes: “Kujto se pluhur je edhe në pluhur do të kthehesh” (Zan 3,19).
Ishte kjo, një ndalesë tek Libri i Zanafillës, që të kujton çastin e gjykimit të Zotit, pas mëkatit të rrjedhshëm, kur Adami e Eva, njerëzit e parë, të gatuar nga pluhuri, u dëbuan nga Parajsa, për t’u bërë të vdekshëm, domethënë, për t’u rikthyer në pluhurin, prej nga kishin dalë:
“Ja, pra, theksoi Papa, shenja e hinit na kujton afreskun e madh të krijimit, në të cilin shpjegohet se qenia njerëzore është një unitet i lëndës me frymën hyjnore, përmes figurës së pluhurit të tokës, me të cilin Zoti e formoi njeriun, duke i shtënë nëpër birat e hundës, frymën e jetës”.
E pasi kujtoi këtë çast kulmor, Ati i Shenjtë vijoi të shtonte në mozaikun vigan të krijimit, bimët, pemët, kafshët, zogjtë e mijëra krijesat e gjalla, të cilat nisën të lëvizin në tokë, në ujë e në qiell, duke u ndaluar në çastin, kur u krye mëkati, nga i cili pasoi dënimi, që rëndon mbi ne të gjithë: të jetuarit me djersën e ballit; vdekja, rikthimi në pluhur, për shkak të mosbindjes. Këtë mosbindje Papa e komentoi duke cituar etërit e lashtë të Kishës, Shën Gjon Gojartin e Pseudo-Makarion e duke e parë Liturgjinë e Përhimjes,
“…si ftesë për pendesë e përvujtëri, për ta pasur gjithnjë parasysh çastin e vdekjes. E jo për të përfunduar në dëshpërim, përkundrazi, për të parë pikërisht në çastin e fundit tonë, afrimin e pamendueshëm të Zotit i cili, pas vdekjes, na hap shtegun kah ringjallja, kah Parajsa e humbur e, më në fund, e rigjetur”.
Atë, që në fillim ishte trup, i nxjerrë nga toka, ishte njeri prej pluhuri, vdekja e rikthen në pluhur, por pikërisht përmes këtij kthimi në dheun prej kah u krijua, njeriu rilind përsëri nga toka e ngarend drejt lumnisë së një korpi shpirtëror. Një shndërrim i tillë nuk mund të arrihet pa merita. Meritat e shpirtit janë të nevojshme, por themelor është Misteri i Pashkëve të Krishtit:
Mundësia e ndjesës hyjnore varet kryesisht nga fakti se vetë Hyji, në vetjen e Birit të tij, deshi të bëhej si ne në gjithçka, përveç mëkatit. Ati e ngjalli me forcën e Shpirtit të tij të Shenjtë e Jezusi, Adami i ri, u bë shpirt që jep jetë (1Kor 15,45) fryt i parë i krijimit të ri. I njëjti Shpirt, që e ngjalli Jezusin prej së vdekurish, mund t’i shndërrojë zemrat tona nga zemra guri, në zemra mishi (cfr Ez 36,26).
E lutëm pak më parë Zotin, kujtoi Papa, me fjalët e Psalmit Miserere, që mund e duhet përsëritur me përvujtëri në këtë kohë pendese:
“Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër,/ përtrije në mua, një shpirt të qëndrueshëm./ Mos më flak larg fytyrës sate/ e mos më lër pa Shpirtin tënd të Shenjtë” (Ps. 50.12-13).
Ky Hyj, që i dëboi etërit tanë të parë nga Edeni, dërgoi Birin e vet në tokën tonë të zhytur në mëkat e nuk e kurseu, vetëm e vetëm që ne, bij plangprishës, të mund të rikthehemi, të penduar e të shpërblyer nga mëshira e tij, në atdheun tonë të vërtetë. E ashtu qoftë, për secilin prej nesh, për të gjithë besimtarët për çdo njeri, që pranon përvujtërisht se ka nevojë për shëlbim.

Kujtojmë se në Mesazhin për Kreshmët 2012, Papa i fton të gjitë besimtarët Të kujdesen për njëri-tjetrin, duke u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira”, frazë, kjo, e shkëputur nga Kapitulli X i Letrës drejtuar hebrenjve.







All the contents on this site are copyrighted ©.