2012-02-22 14:33:43

Abati i madh i Mirditës
imzot Preng Doçi
në përvjetorin e vdekjes.


Abati i madh imzot Preng Doçi lindi më 8 shkurt të vitit 1846, vdiq më 22 shkurt 1917. Abati imzot Preng Doçi qe personalitet i njohur dhe i nderuar prej çdokujt për atdhetarì të flakët e zotësi diturore, fetare e politike. Më 25 tetor të vitit 1888, Papa Leoni XIII me dekretin “Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë Abacinë e Oroshit në Mirditë dhe për Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj Abacie Kishtare e sidomos ardhja e imzot Preng Doçit, ndikuan shumë në jetën fetare, kulturore dhe politike të Mirditës e të mbarë Vendit e të kombit shqiptar.
Në fushën e jetës fetare e atë kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për përforcimin e vetëdijes fetare e të shqiptarëve, dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve në Sakramente të Shenjta. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore e kombëtare, në anën tjetër i luftonte dukuritë e këqija që ekzistonin ndër shqiptarë, si vrasjet, hakmarrjet, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin shkatërronin vlerat morale tek populli.
Në fushën e jetës kulturor, imzot Preng Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi”, me qëllim të zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të luftuar nga armiqtë e popullit shqiptar, sidomos turqit. Ishte kjo një nevojë e madhe e për imzot Doçin qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të ri me shkolla e dije Shqipërisë e nè mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, kishtare e atdhetare dhe për kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit, imzot Preng Doçi. Një nga veprat e tij është edhe “Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”.
Në fushën e jetës kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi Mirditën dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus - qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e organizoi ai.
Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin e kardinalit armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në vende të ndryshme, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës.
Së bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot Preng Doçi u angazhua me mish e shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për përparimin kulturor e të gjithanshëm të popullit e Vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.