2012-02-21 16:46:42

Në Pakistan, policia liron të akuzuarin për vrasjen e ministrit Bhatti


Abid Malik, njëri nga dy personat e dyshuar për vrasjen e ministrit katolik pakistanez Shahbaz Bhatti, u lirua nga policia e vendit, pasi nuk ka prova për fajësinë e tij. I dyshuari i dytë, Zia-ur-Rehman, akoma nuk është kapur. Për autoritetet e Kishës Katolike kjo s’është gjë tjetër, veçse përpjekje për “të humbur kohë”. Me sa duket, policia nuk ka ndërmend të dënojë autorët e krimit.
Kujtojmë se Shahbaz Bhatti, ministër katolik për pakicat në Pakistan, u masakrua me 30 plumba më 2 mars 2011 në Islamabad. Dyshimet ranë mbi lëvizjet fondamentaliste islamike, të cilat, edhe në të kaluarën, e kishin kërcënuar Bhattin për luftën e tij kundër ligjit të blasfemisë. Gjatë këtyre muajve, s’është bërë tjetër, veçse janë devijuar hetimet, duke e motivuar vrasjen herë për “hakmarrje personale” e herë për “çështje personale”, që nuk kanë të bëjnë me veprimtarinë politike të ministrit. Ipeshkvi i Islamabadit, imzot Rufin Anthony, mik personal i Shahbaz Bhattit, akuzon policinë se po bën gjithçka për të mos e zgjidhur çështjen e për të mos kapur fajtorët e vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.