2012-02-21 16:46:58

Karnavalet arritën kulmin, e përfunduan me urimin “Për shumë vjet”.


Plot ngjyra e larushi, karnavalet janë festa më gazmore e vitit. Njerëz të të gjitha shtresave shoqërore fshihen pas maskave, këndojnë e vallëzojnë, duke bërë gara fantazie, për të jetuar ca çaste të çkujdesura, të lumtura, duke i harruar shqetësimet e përditshme. Arrin kulmin festa e edhe tregtia e sendeve, që lidhen me të: e veshjeve, e ushqimeve, e, sidomos, e maskave. Ndjehet kudo era e petullave, që hahen me mjaltë a me djathë dhe sofra është tejet e ‘dhjamur”, sepse edhe vetë java, sipas traditës, quhet “e majme”, “e dhjamur”. Nis plot gaz karnavali, ndërsa përfundon plot vaj, sepse ka miq e dashamirë, por edhe kundërshtarë të rreptë. Prandaj, për ta kuptuar, duhet të pyesim nga vjen e ku shkon, ç’koncepte fetare mishëron e ç’vlera morale mbron.
Sot, letra shumëngjyrëshe, ëmbëlsira, larushi. Ndërsa nesër sheshet do të gëdhihen përplot me karta ngjyra-ngjyra, për t’u pastruar. E vendin e gazit, do ta zërë agjërimi e pendesa. Sepse kohës së çkujdesur ia zë vendin koha e kujdesur.
Nuk është e lehtë të hetosh nga vjen karnavali, gjurmët historike të të cilit askush nuk është kujdesur t’i ruajë. Duket sikur karnavali është një krijesë ndërkombëtare, që shëtit nëpër vise e kohë, duke ndryshuar gjithnjë maskën, sikur të dëshironte të mbetej një i njohur, i panjohur.
Ka shumë mundësi që fjala të jetë e prejardhur nga latinishtja: carnem levare, term kishtar, që ka kuptimin e heqjes dorë nga e ngrena e tepruar, duke nisur nga dita pas përfundimit të karnavaleve, deri të Enjten e Madhe. Nga Enjtja e Majme, në prag të Kreshmëve, në të Enjten e Madhe, para Pashkëve.
Në Kalendarin liturgjik katolik-romak karnavali kremtohet ndërmjet Solemnitetit të Dëftimit të Zotit (6 janar) e Kreshmëve.
Dëshmitë e para dokumentare të Karnavalit vijnë në ditë tona nga mesjeta (duke nisur nga shekulli VIII pas Krishtit) e flasin për një festë, gjatë së cilës teprohet me të ngrëna e me kënaqësi fizike të të gjitha natyrave. Edhe të ndaluara në kohë të zakonshme. Karnavali e harronte krejtësisht rendin shoqëror sundues e niste të luante një rol, që në kohë të zakonshme, as që mund ta ëndërronte. Bëhej mbret, princ e kont, i fshehur pas maskës.
Pastaj, arrin fundi! Në të martën e majme, ditë kur, sipas traditës sonë, karnavali, qortohet për sjelljet e tij tepër çapkëne, dënohet me vdekje e digjet, shoqëruar me këngën-porosi: “Mos i ngjaj bir-o tyt et, se ai ka kenë i panafakë, a di çka i bâne vjet, shokët e tij e dogjën flakë”.Mbarimi i hidhur i karnavalit, që i jep fund periudhës festive të shfrenuar, mbyllet me një urim për vitin e ardhshëm: “Për shumë vjet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.