2012-02-21 18:37:33

Dom Gjergj Berisha, në përvjetorin e vdekjes


Sot më 21 shkurt kujtojmë përvjetorin e vdekjes së meshtarit kosovar dom Gjergj Berisha, i cili ndërroi jetë më 21 shkurt 2002.
Meshtari kosovar dom Gjergj Berisha lindi në fshatin Binçë në vitin 1947. Studimet i kreu në vendlindje dhe në Kroaci, ku u përgatit për rrugën në të cilën e kishte thirr Zotit, atë të meshtarisë. Posa u shugurua meshtar, filloi misionin apostolik në bashkësi të ndryshme kishtare si në famullinë e Becit të Gjakovës. Dom Gjergj Berisha qe meshtar i zellshëm, i përkushtuar në shërbim të Zotit, i gatshëm për t’iu përgjigjur kujtdo që kërkonte prej tij fjalën e mirë, ndihmën në ditë të vështirë e, sidomos, Ungjillin e Krishtit, Fjalën e Jetës. Ishte bari shpirtëror i dashur për grigjën që i qe besuar, të cilën vijoi ta përforconte në fe deri ditën që mbylli sytë në moshën 55 vjeçare, kur mund të bënte akoma shumë për besimtarët e vet.
Ai u la trashëgim fenë e tij të gjallë, shembullin e mirë prej meshtari, që duke u kujdesur në radhë të parë për nevojat shpirtërore, nuk i harroi as ato materiale e shoqërore. Dëshmia e përkujdesit të tij misionar në fushën shoqërore është Ambulanca e re në fshatin Doblibare të Gjakovës, e cila u përurua vetëm një javë para vdekjes së tij, pa kujtuar këtu veprimtaritë e shumta e të përditshme në dobi të nevojtarëve, përmes Karitasit dhe shoqërisë së mirënjohur Kolping, që ndihmonte më të varfrit ndër të varfër. Trupi i dom Gjergj Berishës pushon në paqe në varrezën e fshatit të lindjes, Binçë.







All the contents on this site are copyrighted ©.