2012-02-20 16:08:02

“Nata e kishave” rifillon në shumë vende të Evropës


Të inkurajohen sa më shumë njerëz, besimtarë e jo, për t’i vizituar kishat, duke u krijuar mundësinë të takohen me Zotin e të reflektojnë për vlerat shpirtërore të jetës njerëzore. Për këtë qëllim, në disa vende të Evropës, që nga 1 qershori i ardhshëm, do të rifillojë nisma “Nata e kishave”.
Për herë të parë një nismë e tillë u vu në jetë në Vjenë, në vitin 2005, duke u krijuar të gjithë njerëzve jo vetëm mundësinë të admirojnë, në errësirën mistike të natës, thesaret artistike të krishterimit, por edhe të marrin pjesë në liturgjitë, të dëgjojnë koncerte, të ndjekin shfaqje teatrore, të vizitojnë vetëm e me grupe, varreza të lashta e vende zakonisht të mbyllura për publikun. Kush i ka provuar vizita të tilla, edhe në vende ku nuk ka shumë kryevepra arti, por ku ruhen kryevepra feje, humanizmi, qëndrese njerëzore, dëshmi martirësh e heronjsh, në mbrojtje të idealeve më të larta të njerëzimit, e di sa të paharrueshme janë. Lënë një mbresë të pashlyeshme në kujtesë, sepse të krijojnë mundësinë të shijosh kontrastet e fuqishme të dritë-hijes, në errësirën e natës, që të fton vetvetiu për meditim.
Nisma nisi në Austrinë, tejet të pasur me monumente të krishtera. E ne po mjaftohemi të kujtojmë Vjenën, me Katedralen magjiplote të Shën Shtjefnit, kishat monumentale të qendrës së kryeqytetit, varrezat e perandorëve e të artistëve të famshëm e thesare të tjera, pa harruar se shumë veprimtari shoqërohen nga Filarmonia e mirënjohur vjeneze.
Gjithsesi nisma suksesin më të madh e pati në Republikën Çeke, vitin e kaluar, kur 900 kisha që aderuan, organizuan një program me 500 mijë veprimtari fetare-artistike-kulturore, të cilat u ndoqën me entuziazëm nga të gjitha dioqezat e vendit.
Edhe në Francë rikthehet “Nata e kishave”, organizuar nga Shërbimi kombëtar i baritorisë liturgjike e sakramentore. Do të fillojë më 7 korrik e do të ofrojë shumë propozime për gjallërimin e jetës shpirtërore dhe të asaj artistike. 100 kisha do ta presin muzgun me porta të hapura. “Nata e kishave” në Francë pason “Natën e katedraleve”, që organizohet çdo vit në qytete si Strasbugu, Reimsi, Mo e Monako.
Për edicionin 2012 të “Natës së kishave”, programet mund të ndiqen edhe në Facebook e Twiter.E, për ta konkretizuar nismën në një vend, si yni, ku thesaret e artit e të kulturës së krishterë u dërmuan nga stuhia e kohës e prandaj nuk mund të krahasohet me vendet e kishave e katedraleve të mëdha, të lashta të botës, plot me të papritura, shtojmë se nisma mund të vihet në jetë, duke shfrytëzuar programet fetaro-artistike gjatë netëve të kishave me porta të hapura, ku arti e meditimi shkrihen në një gjë të vetme, për të lartuar shpirtrin njerëzor drejt Zotit. Ç’mbresa, do të linte, për shembull, një liturgji, një koncert a një shfaqje teatrore në mesnatë, në katedralen e Shën Shtjefnit, në zemër të Kështjellës së Rozafës, në Shkodër? Besoj se mbresat do të ishin njëlloj të fuqishme, si ato që burojnë nga vizita në Katedralen e Shën Shtjefnit, në zemër të Vjenës.







All the contents on this site are copyrighted ©.