2012-02-20 17:05:22

Tiranë: çelet pavijoni i terrorit 45 vjeçar të diktaturës komuniste


Pavijoni i Terrorit Komunist, një pasqyrim në mënyrë kronologjike dhe tematike me fotografi, dokumente, objekte të reja i Shqipërisë së viteve '45-'90, u çel paraditen e sotme në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Një nga pavijonet më të kërkuara nga vizitorët e huaj është instaluar në katin e dytë të MHK-së, në sipërfaqen rreth 360 metrash katrorë ku pasqyrohen me anë të posterave dhe objekteve organet e diktaturës, gjyqet e deputetëve, lëvizjet opozitare, e deri në rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha.
Vitrinat dhe stendat e pavijonit ekspozojnë objekte personale të të përndjekurve politik si: veshje, enë, lugët, pjata prej alumini, etj, por edhe punime shkencore, dorëshkrime. Krahas dokumenteve dhe objekteve personale të të dënuarve politik, në pavijon është instaluar edhe një birucë burgu.
Gjatë fjalës së tij, në inaugurimin e këtij pavijoni drejtori i MHKS-së, Luan Malltezi u shpreh se ky pavijon tregon fakte dhe dokumente të shumtë të kohës, se Shqipëria ishte një vend që jetonte nën një terror të jashtëzakonshëm në pushtetin e Enver Hoxhës. "Për dekada me radhë regjimi komunist kishte ushtruar një politikë të ashpër e të pamëshirshme ndaj popullit të vet duke kryer vrasje, burgime, internime, nëpërmjet armës së frikshme të sigurimit të shtetit dhe të drejtësisë shqiptare", tha Malltezi.
Drejtori i MHKS-së shtoi se 20 shkurti është një datë me rëndësi të veçantë në historinë tonë kombëtare, rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës shembja e të cilit u shoqërua me një entuziazëm nga shqiptarët që nuk mund të kuptohej nga bota demokratike.
I pranishëm në inaugurimin e Pavijonit të Terrorit Komunist ishte edhe Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ministri i MTKRS-së Aldo Bumçi, etj. Ky i fundit u shpreh se gjatë gjithë këtyre viteve ne nuk kemi krijuar institucione të kujtesës, kombëtare pasi gjatë gjithë kësaj kohe të përndjekurit kanë qenë monumente të gjalla të shoqërisë sonë, por tani po fillojmë t'i krijojmë.
"Kjo shoqëri ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër në lindjen komuniste të ngrej tempuj të kujtesës kombëtare për të kujtuar dhimbjen dhe rezistencën ndaj shtypjes", tha Aldo Bumçi.
Me rihapjen e këtij pavioni nuk ndryshon vetëm emri i tij, nga Pavioni i Genocidit në atë të Terrorit Komunist, por materiale të reja të pa ekspozuara më parë prezantohen për vizitorët vendas e të huaj. Pavijoni pasqyron edhe të dhëna nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilat tregojnë se gjatë viteve të diktaturës u vranë 5157 njerëz nga të cilët 89 gra, 952 vdiqën në burg dhe 273 humbën aftësinë mendore, nga të cilët 29 gra. 17900 njerëz u internuan sit ë dënuar politik dhe u ndërtuan 23 burgje dhe 48 kampe përqendrimi.
Forma dhe përmbajtja e këtij pavioni është konceptuar nga grupi i muzeologëve si: Enver Kushi, Fredi Gusho, Sali Kadria, Fatmir Boshnjaku, Etleva Demollari, etj. Njëkohësisht Muzeu ka bashkëpunuar edhe me Agim Mustën, përfaqësues i Institutit të të Përndjekurve Politikë dhe Kastriot Dervishin, drejtor i Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndërsa konceptimi arkitekturor është realizuar nga arkitekti Latif Lami.
Pavioni i Genocidit është hapur në vitin 1996 në Muzeun Historik Kombëtar dhe rinovimi i tij shtohet pranë pavioneve të tjera të Muzeut Historik Kombëtar si: Pavioni i Lashtësisë, Pavioni i Mesjetës, Pavioni i Rilindjes Kombëtare, Pavioni i Pavarësisë, Pavioni i Ikonografisë, etj. (ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.