2012-02-20 14:13:04

Politika e interesat turko-kineze, pas vizitës së zv.presidentit kinez në Ankara


Pas kthimit nga SHBA-të, zv.presidenti kinez, Xi Jinping vizitoi dje Ankaranë për bisedime të rëndësishme me autoritetet turke. Kohët e fundit, Kina e Turqia mbajnë të njëjtin qëndrim përsa i përket dhunës në Siri, duke qenë kundër ndërhyrjes nga jashtë, përveç rastit kur ajo të kërkohet nga vetë qeveria e Damaskut. Në provincën e Xingyang-ut në Kinë jeton një pakicë e rëndësishme turkofolëse, objekt i një marrëveshjeje, që do të nënshkruhet së shpejti. Të dëgjojmë ekspertin italian të çështjeve turke, Alberto Rosseli:
Sipas disa informacioneve, Pekini do t’i propozojë Ankarasë hapjen e një konsullate në qendrën e provincës së Xingyang-ut. Falë pranisë së përfaqësuesve ushtarakë turkë, ajo do të ketë për detyrë të ndërmjetësojë mes fraksioneve më autonomiste e kundërshtare të Kinës dhe vetë qeverisë kineze. Në këmbim, Turqia do të ketë avantazhe ekonomike në të ardhmen, pasi Kina do t’i lejojë shfrytëzimin e pjesshëm të minierave të uraniumit e të metaleve të tjera të çmuara në Xingyang.
Turqia po bëhet gjithnjë e më tepër e rëndësishme në Lindjen e Mesme e në Mesdhe, aq sa po flitet për “neo-otomanizëm”. Sipas jush, ajo është e interesuar për një rol udhëheqës në këtë zonë?
Pa dyshim. Kryeministri turk Erdogan dëshiron të jetë kreu i drejtimit të ri, që ka marrë politika arabe. Me të drejtë, ju folët për “neo-otomanizëm”. Vërejmë rilindjen e tij, pasi Turqia e ka ndjerë gjithnjë veten si trashëgimtare e kulturës arabe, e cila është shumë e ndryshueshme nga pikpamja etnike. Prandaj, me forcimin e brendshëm të Turqisë e me rilindjen e nacionalizmit në dhjetë, pesëmbëdhjetë vjetët e fundit, vendi është bërë i vetëdijshëm se mund të kushtëzojë, ose të koordinojë politikën e botës arabe.
Një rol udhëheqës, që i njihet pak në Evropë. Ka pasur gjithnjë tensione ndërmjet Turqisë e Francës, e cila është kundër integrimit evropian të Turqisë…
Çështjet që, në një farë mënyre, e pengojnë normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Evropës së bashkuar janë të njohura. Kemi çështjen e Qipros, çështjen kurde dhe atë armene. Duke e ditur se Ankaraja e ka të vështirë të hyjë në Evropë, Erdogan e kthen vëmendjen nga Lindja e Mesme e madje, edhe nga zona strategjike e së ardhmes, ajo e Azisë qendrore.







All the contents on this site are copyrighted ©.