2012-02-20 14:12:48

Në Siri, 8 mijë viktima nga fillimi i protestave


Tetëmijë sirianë kanë gjetur vdekjen në një vit rebelimi, sipas veprimtarëve kundër regjimit. Një numër, që i ka ngritur peshë edhe sirianët nëpër botë, të cilët herë pas here, manifestojnë në mbështetje të të afërmve të tyre në vend. Edhe sot, në Romë, grupi i sirianëve të mbledhur nëpërmjet Facebook-ut me parrullën “E duam Sirinë të lirë”, demonstruan për të kërkuar ndalimin e dhunës, lirimin e të burgosurve politikë, hapjen e një dialogu në nivel kombëtar, pluralizmin politik dhe zgjedhje të lira e demokratike, brenda gjashtë muajsh. Njëra prej tyre është e reja, Aja Homsi, e lindur në Itali, nga prindër sirianë:
Jetoj në Itali dhe e kam për detyrë të transmetoj mesazhin, që më vjen nga qytetarë të lirë sirianë, të cilët manifestojnë në sheshe. Ky mesazh është i të afërmve të mi, i të gjithë atyre, që po rrezikojnë jetën për të kërkuar liri e demokraci. Më vjen përmes rrjeteve shoqërore, përmes internetit. Përdorim Twitter, Youtube, Facebook, që janë mjetet e vetme, të cilat funksionojnë akoma në Siri, megjithëse të kontrolluara. Por njerëzit shkruajnë në faqet e internetit të sirianëve jashtë vendit.
Gjendja në vendin tënd është shumë e pështjelluar. Nuk është e lehtë të kuptohet se cilët janë kundërshtarët e presidentit Bashar Al Asad…
Janë absolutisht qytetarë të lirë. Regjimi po përpiqet vetëm të krijojë pështjellim. Siria nuk ka qenë kurrë vend demokratik, kundërshtarët politikë janë përndjekur gjithmonë e në burgjet siriane janë përdorur torturat. Sot, çështja e mosnjohjes së kundërshtarëve është pretekst për të mos parë… Atje po rrezikojnë jetën: kemi humbur ndoshta 10 mijë vetë, prej të cilëve 500 fëmijë e 400 nëpër burgje. Nuk mund të heshtim para kësaj tragjedie, pavarësisht nga kërcënimet, nga frika se mos të afërmit në Siri e pësojnë për shkak të veprimtarisë sonë këtu.







All the contents on this site are copyrighted ©.