2012-02-20 12:34:58

20 shkurt 1991: rrëzohet shtatorja e Enver Hoxhës, fiton e vërteta e liria


“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”: parrulla të kujton thirrjet e demonstruesve të 21 vjetëve më parë në Tiranë, kur një lumë njerëzish, duke u nisur nga Qyteti i Studentit, përshkuan bulevardin e kryeqytetit për t’u ndalur para bustit të diktatorit Enver Hoxha e për ta rrëzuar atë përdhe.

Ata, që ishin atë ditë në sheshin Skënderbej, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshëtima e shurdhët e shtatores, që binte dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh - e madhe vërtet, por jo më e frikshme. E pastaj, shfrimin e lotëve e përqafimin ndërmjet njerëzish krejtësisht të panjohur - gjë e re edhe kjo, për ata që regjimi i kishte mësuar të ruheshin madje nga të afërmit, sepse kushdo mund të ishte spiun. Shpresat e mëvonshme e pjesëmarrjet në manifestimet e shumta, kush nuk i mban mend? E fatkeqësisht, edhe zhgënjimet që pasuan.

Për të mos harruar atë çka qytetarët e Shqipërisë ishin e përjetuan gjatë diktaturës enveriste të komunizmit atesit, sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, u hap Pavijoni i Terrorit Komunist, ku ekspozohen fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, të të pushkatuarve e të të internuarve, me të dhëna tronditëse për ata, që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit. Kjo që e kaluara të mos harrohet, që dhuna e tmerri i atij kalvari që pësoi populli i pafajshëm të mos përsërite kurrë më, që gjaku i njerëzve të pajafshëm të ketë farë e mirë për të ardhmen e Vendit.

Pra mirë për të kaluarën, po sot “Shqypni, pa na thuej si je”? Parrulla e atëhershme “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, akoma rëndon mbi proceset e mbi planet e politikës së Tiranës, larg nga kultura dhe shoqëria më e mirë evropiane, që edhe sot i jep jetë kontinentit, pavarësisht nga vështirësitë në të cilat ndodhet, duke mos lejuar më të sundojnë terrori, diktatura e errësira.







All the contents on this site are copyrighted ©.