2012-02-19 10:18:50

Shenjtorët e javës që vjen


E diel 19 shkurt, Kisha kremton të dielën e 7-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, e po më 19 shkurt kalendari liturgjik përkujton edhe shën Konrad Konfalonierin. Ungjilli i kësaj së diele na flet për Jezusin që shëron një njeri të sëmurë të paralizuar. Vërejmë fenë e miqve të të sëmurit që bëhet gjest konkret, e kështu të sëmurit iu dha mundësia të takonte Mësuesin Hyjnor e të fitonte shërimin e plotë.

Të hënën e ardhshme me 20 shkurt bie përkujtimi I Shën Eleuterit dhe shën Leonit të Katanies, ipeshkëv. Liturgjia e ditës na kujton se kush beson në Zotin, lëshohet në dorë të tij si fëmijët në duart e prindërve.

Të martën më 21 shkurt, kalendari përkujton shën Pier Damianin, ipeshkëv të Ostia-s, kardinal e doktor të Kishës. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.

Të mërkurën që vjen më 22 shkurt, bie e Mërkura e Përhime, me të cilën Kisha e fillon kohën liturgjike të Kreshmëve. Kjo kohë liturgjike e shpirtërore është një rast i ri dhe i volitshëm për përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Pashkëve. Me të Mërkurën e Përhime nisin edhe meditimet e kohës së fortë kreshmore, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi, të agjërojmë e të kthehemi në rrugën e Hyjit, duke iu lutur me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë. Nënvizojmë se për besimtarët e Mërkura e Përhime është ditë agjërimi e lutjeje.
Gjithnjë më 22 shkurt,sipas kalendarit liturgjik bie përkujtimi i shën Maksimianit të Ravenës e shën Margaritës së Kortonës.

Të enjten më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin, ipeshkëv i Smirnës e martir dhe Shën Gjyzepinen Vanini, virgjër. Ata na kujtojnë se Ati është gjithnjë te pragu, në pritje të kthimit tonë. Tek ai nuk paraqitemi si shërbëtorë, sepse një të arritur, Ai, na jep përsëri menjëherë dinjitetin e pafundmë të bijve të vet.

Të premten më 24 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Sergjin, Evecin e Pjetrin, martirë. Ata na kujtojnë se duke shkuar lirisht për të takuar publikanët, mëkatarët e të sëmurët, Jezusi na tregon kuptimin e vërtetë të Ungjillit, prej nga buron thirrja për t’u penduar, që u drejtohet gjithë mëkatarëve.

Të shtunën më 25 shkurt, Po të mërkurën më 25 shkurt, kalendari kishtar përkujton edhe Nestorin, ipeshkëv të Magjdosit e martir. E Fjala e Zotit kërkon prej nesh që t’i hapim jo vetëm veshët dhe gojën, por sidomos zemrat, që në to të hyjë bota, të hyjë dashuria, të hyjë dialogu e sidomos, njohja e vërtetë e Zotit.

Të dielën e ardhshme më 26 shkurt, Kisha do të kremtojë të dielën e parë të Krezhmëve. E gjithnjë më datën 26 shkurt kalendari kishtar përkujton edhe shën Aleksandërin e Aleksandrisë e shën Faustinianin, ipeshkëv i Bolonjës.
Liturgjia e kësaj së diele na fton të besojmë në Jezusin në të cilin kemi burimin e jetës së re, e me Të dhe në Të mund të fitojmë mbi të keqen e ta asgjësojmë vdekjen, të udhëhequr nga forca e Shpirtit Shenjt.







All the contents on this site are copyrighted ©.