2012-02-19 17:15:48

Pas gjurmëve të Gian Lorenzo Bernini-t, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.


Sot, në solemnitetin e Katedrës së Shën Pjetrit, Benedikti XVI reflektoi për Kishën, duke u frymëzuar prej njërës nga kryeveprat e Gian Lorenzo Bernini-t (Napoli, 07. 12. 1598 - Romë, 28. 09. 1680), dora gjeniale e të cilit la gjurmë kudo në Bazilikën e Popujve, që vizitorët më të njohur e kanë quajtur: “Kisha më e bukur e fesë më të bukur”.
Këtu shtegtarët vërshojnë çdo ditë nga të katër anët e botës për të shijuar madhështinë klasike kristiane. Nisen nga rrjeti i ndërlikuar i rrugëve të Romës, kalojnë nëpër “Via della Conciliazione” (Rruga e Pjatimit) dhe para tyre shfaqet një nga sheshet më të bukura, që ka krijuar dora e njeriut: Sheshi i Shën Pjetrit. Në mes të tij ngrihet Obelisku i lashtë egjiptian. Dikur Obelisku kishte në maje një sferë bronzi të praruar, në të cilin besohej se ruhej hiri i Jul Cezarit. Sfera u rrëzua nga kryengritësit në vitin 1527. Më vonë u zëvendësua me Kryqin, të cilin e sodisim edhe sot. Obelisku është i ndërtuar prej graniti bojë rozë. Nuk ka hjeroglife. Në të lexojmë vetëm mbishkrimin që i kushtohet Augustit e Tiberit, dy perandorëve romakë, gjatë sundimit të të cilëve lindi e u kryqëzua Krishti.
Obelisku në lashtësi ka qenë simbol i diellit. Në kohët e krishtera u bë simbol i Krishtit – diellit të ri që me rrezet e veta ndriçon e ngroh gjithësinë.
Në të dy anët e Obeliskut ndodhen dy shatrivane dhe pak më tutje hapin krahët dy radhë kolonash vigane. Janë 284 kolona, që formojnë tri galeri: jemi përballë njërës nga kryeveprat e arkitektit dhe skulptorit të famshëm, Berninit. Mbi kolonat ngrihet një numër i madh shtatoresh. Sheshi ka pamjen e një njeriu që, duke pasur mbi kokë kupolën e Shen Pjetrit, hap krahët, si të donte t’u jepte një përqafim të ngrohtë turmave të pafund, të cilat drejtohen nga varri i Princit të Apostujve. Është simbol i vetë Kishës katolike, që hap krahët rreth të gjithë rruzullit tokësor, për të përqafuar bijtë e vet, kudo që jetojnë.
I afrohemi Bazilikës. Duke ngjitur shkallët që ngrihen në të dy anët e ndërtesës, sodisim shtyllat vigane të hyrjes me kapitelet e skalitura mjeshtrisht. Shkelim sakaq në tremen e gjërë të Bazilikës, vepër e një plejade artistësh, nga Mikelanxhelo Buonaroti, tek Rafaeli e, natyrisht, tek Bernini...
Falë bashkëpunimit të këtyre gjenive, lindi edhe kupola e Shën Pjetrit që zotëron gjithë pejsazhin e Romës. Poshtë kupolës shtrihet Bazilika në formën e kryqit latin.
Kapërcejmë së bashku pragun e portës kryesore, që njihet me emrin “Porta e Argjendë” dhe hyjmë në Bazilikë, gjithnjë duke kërkuar gjurmët e Berninit. Janë ato, që i japin gjallërinë e vërtetë gjithë Tempullit. Ai mendoi t’i vishte përsëri muret me mermere, projektoi dhe realizoi “Varrin e Shën Pjetrit”, që njihet me emrin “La Confessione”, realizoi baldakinin e ri mbi Varrin e Kryeapostullit, Katedrën si dhe vendet ku sot sodisim shtatoret e reliket.
Vepra e Berninit u frymëzua thellësisht nga arti i thjeshtë i të krishterëve të parë. U përurua me 1633, në kohën e Papës Urbani VIII.
Në qendër të Bazilikës ndodhet “Varri i Shën Pjetrit”.Vepër e shkëlqyer, Varri është i zbukuruar me vepra të tjera të rralla arti dhe i ndriçuar nga 95 llamba bronzi të praruar. Pas portës së vogël që dallohet në fund të varrit, janë ruajtur mbetjet e bazilikës së lashtë kostandiniane: nikia me një mozaik të shekullit IX, që paraqet Jezu Krishtin.
Këtu rrajnë shtegtarët, gjunjëzohen, luten e prekin me nderim të thellë varrin e Princit të Apostujve. Pranë këtij varri janë kurorëzuar sa e sa papë e mbretër. Seria e kurorëzimit të mbretërve nis me Karlin e Madh të Francës në vitin 800.
Mbi “Varrin e Papës së parë” ngrihet elteri papnor. Baldakini i tij prej bronzi, mbahet nga kolona vigane spirale, që kanë formën e Tabernakullit të thjeshtë, i cili ndodhej dikur mbi varrin e shën Pjetrit. Jemi para një kryevepre tjetër të Berninit.
Pas elterit sodisim Katedrën, që mbahet nga duart e shtatoreve prej bronzi të katër Etërve grekë e latinë të Kishës: Atanasit, Gjon Krizostomit, Agostinit dhe Ambrozit. Mbi ta qëndron Pëllumbi i Shpirtit Shenjt që, siç e komentoi sot Papa, paraqet Zotin, si burim drite. Brenda Katedrës së veshur me fildish, ruhet relikja prej druri e një katedre shumë më të lashtë. Është Katedra e Shën Pjetrit, simbol i dinjitetit papnor, Selia e së vërtetës që frymëzohet dhe ruhet prej Shpirtit Shenjt.I gjithë kompleksi skulpturor, i derdhur në bronz, që mishëron misterin e Kishës, njihet me emrin “Gloria e Berninit” dhe është kryevepër e kryeveprave të artistit. Ishte “Gloria”, që frymëzoi sot gjithë homelinë e Papës, i cili shpjegoi me hollësi simbolikën e arkitekturës, duke e quajtur “vizion i thelbit të Kishës e i shërbimit Papnor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.