2012-02-19 17:15:03

Mesha e Papës: Kisha është një dritare, nga e cila Zoti shikon nga lart njerëzimin. Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot urata për kardinajt e ri


Në ditën e festës të Katedrës së Shën Pjetrit, Benedikti XVI kryesoi, sot paradite, Meshën Shenjte, në Bazilikën e Vatikanit, i rrethuar nga 22 kardinajtë, krijuar në Koncistorin e djeshëm. Papa foli përsëri për parinë e pasardhësit të Shën Pjetrit, duke theksuar edhe se Kisha është e thirrur për një mision shumë të lartë, atë të dashurisë e të së vërtetës, duke çuar, në botën që shpesh herë mbyllet brenda vetes, dritën e Krishtit.
Pjetri nuk do të kishte mundur kurrë, me korpin e gjakun e tij të ligshtë njerëzor, ta mbante të patundur Kishën, që ia besoi Zoti. Prandaj Krishti e paracaktoi të bëhej, ai që nuk ishte, të bëhej shkëmb, sepse pikërisht për një shkëmb të patundur kishte nevojë bashkësia e krishterë në fasha.
Pas Koncistorit, Benedikti XVI vijoi të zhdridhte fillin e reflektimit të nisur një ditë më parë, por duke e zhvendosur theksin nga shërbimi i kardinajve në Kishë, tek themelet, mbi të cilat mbahet Kisha që prej dy mijë vjetësh, feja e dashuria e krishterë, të cilat kardinajtë duhet t’i dëshmojnë të parët.
Pas përshëndetjes, drejtuar Atit të Shenjtë nga kardinali Fernando Filoni, Papa mbajti homelinë, frymëzuar nga vetë struktura e elterit të Katedrës së Pjetrit, vepër e pavdekshme e skulptorit e arkitektit të famshëm, Lorenco Bernini, vendosur në krye të vendit, në Bazilikën e Vatikanit. Papa e shpjegoi me hollësi simbolikën e arkitekturës, duke e quajtur vizion i thelbit të Kishës e i shërbimit Papnor. Nisi nga elementi i parë, dritarja me figurën e Pëllumbit që, shpjegoi Papa, paraqet Zotin, si burim drite:
“Kisha vetë është si një dritare, vend ku Zoti bëhet i afërt, ku takohet me botën tonë. Kisha nuk ekziston për vetvete, nuk është cak; ajo duhet të na ridërgojë përtej vetvetes, drejt lartësive, përmbi ne. Kisha është vërtet vetvetja në atë masë me të cilën e bën të dukshëm Tjetrin, me ‘T’ të madhe, nga i cili vjen e kah i cili prin”.
Elementi tjetër, që bie në sy, janë shtatoret e etërve të mëdhenj të Kishës së Lindjes e të Perëndimit, mbi të cilët mbështeten skajet monumentale të fronit prej bronzi. Dy mësuesit e Kishës së Lindjes, Shën Gjon Gojarti e Shën Atanasi, së bashku me latinët, Shën Ambrozin e Shën Agostinin, përfaqësojnë, vërejti Papa, tërësinë e traditës e, prej këndej, pasurinë e shprehjes së fesës së vërtetë, në një Kishë të vetme:
Ky element i elterit na kujton se dashuria mbështetet mbi fenë. Ajo thërmohet, në se njeriu nuk beson më në Zotin e nuk i bindet plotësisht Atij. Në Kishë gjithçka mbështetet mbi fenë: Sakramentet, Liturgjia, ungjillëzimi, dashuria e krishterë. Edhe drejtësia, edhe autoriteti, në Kishë mbështeten mbi fenë. Kisha nuk vetërregullohet; nuk ia cakton vetvetes rendin, por e merr nga Fjala e Zotit, të cilin e dëgjon në fe, përpiqet ta kuptojë, mundohet ta jetojë”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë dhe, për ta përfocuar përkufizimin e Kishës, frymëzuar nga vepra madhështore e artit, citoi një tjetër nga etërit e lashtë të krishterë, Injacin e Antiokisë, i cili e quan Kishën e Romës “ajo, që prin në dashuri”- caritas, në gjuhën latine, me të cilën shkruan etërit e lashtë të Kishës. E me fjalën ‘Caritas’ fillon edhe Enciklika e Benediktit XVI ‘Caritas in veritate”. Prej këndej Papa mori shkas për një element tjetër reflektimi, duke theksuar se fjala ‘Caritas’ mund të kuptohet si dashuri, por edhe si Eukaristi që, kujtoi Papa, është “Sakramenti i dashurisë së Krishtit”:
“Veç kësaj, të kesh parinë në dashuri, do të thotë t’i tërheqësh njerëzit në një përqafim eukaristik, përqafim i Krishtit, që kapërcen çdo pengesë e krijon bashkimin e një mori larmish. Prej këndej, shërbimi i pasardhësit të Shën Pjetrit është parí në dashuri, në kuptimin eukaristik të fjalës, është nxitje për bashkimin universal të Kishës së Krishtit”.
Elementi i fundit, që vuri në dukje Papa në këtë lëvizje të dyfishtë lartimi e zbritjeje, që karakterizon elterin, ishte lidhja e ngushtë ndërmjet fesë e dashurisë, në të cilën është e para, që e orienton të dytën:
“Një fe egoistike nuk do të ishte fe e vërtetë. Kush beson në Jezu Krishtin e hyn në dinamizmin e dashurisë, që buron nga Eukaristia, zbulon gëzimin e vërtetë e bëhet i aftë të jetojë sipas logjikës së dhurimit”.
Pas kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot nga dritarja e studios së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI foli për Festën e Katedrës së Prijësit të Apostujve si dhe për detyrën që ka Papa i Romës për ta udhëhequr Kishës, me ndihmën e kardinajve:
“Një detyrë e tillë e posaçme shërbimi e Bashkësisë romake dhe e ipeshkvit të saj zë fill nga fakti se në këtë qytet derdhën gjakun e tyre Apostujt Pjetri e Pali, përveç një numri të madh martirësh. Rikthehemi, kështu, tek dëshmia e gjakut dhe e dashurisë. Prej këndej, katedra e Shën Pjetrit është shenjë e autoritetit; autoritet i Krishtit, bazuar mbi fenë e mbi dashuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.