2012-02-19 17:18:38

Dhimbja e Papës për zjarrin në një burg të Hondurasit. Koment i zëdhënësit të Vatikanit.


Papa Benedikti XVI shprehu të premten, dhimbjen e tij të thellë për viktimat e zjarrit, që të mërkurën e kaluar, përfshiu burgun e Komajaguas, në Honduras. Në një mesazh, që mban firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, Ati i Shenjtë i lutet me shpirt Zotit për mëse 350 personat, që gjetën vdekjen në mes të flakëve. Papa u shpreh afërsinë e tij shpirtërore familjarëve dhe në një çast trishtimi kaq të madh, ua beson të gjithë Zojës së Sujapës. Mbi këtë ngjarje dramatike, të dëgjojmë komentin e drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi, njëkohësisht zëdhënës i Vatikanit:....RealAudioMP3
“Një lajm i kësaj jave e sfidon deri në fund të fundit aftësinë tonë për të na ardhur keq: është zjarri, që ra në burgun e Komajaguas, në Honduras, ku qindra të burgosur – mëse 350, pa llogaritur të plagosurit – gjetën vdekjen, të asfiksuar e të karbonizuar, në kurth, në qelitë e tyre. E tmerrshme! Torturë! Thikë në zemër! Mëse një e treta e të burgosurve, në një burg të mbushur ku s’mbante më – siç ndodh shpesh sidomos në vendet më të varfëra, por jo vetëm atje. E nuk është hera e parë. Tragjedi të tilla na kujtohen mirë gjatë viteve të fundit. Nuk janë të rralla. Gjithnjë në Honduras, mëse 100 të vdekur në San Pedro të Sulës, në vitin 2004. E pastaj, në Kili, në Algjeri, në Republikën Dominikane, në Brasil, në Arabinë Saudite, Marok, El Salvador, Tunizi, Argjentinë, Meksikë… Kur bie zjarri në burg, gati gjithmonë bëhet kërdia.
Kujdes! Fakti që këta njerëz kanë gabuar, nuk i privon nga çdo dinjitet, nuk e justifikon lënien e tyre në një atmosferë dhune, që poshtëron jo vetëm ata, por shpesh, edhe personelin, dhe e bën të pamundur çdo lloj ripërfshirjeje në jetën shoqërore.
Dokumenti i Sinodit Afrikan, i bërë publik nga Papa në Benin, përmend kushtet e tmerrshme të të burgosurve në Afrikë, por vizitat e Papëve në burgjet romake, deri në atë të dy muajve më parë në burgun e Rebibies, e kanë zgjeruar gjithnjë horizontin mbi kushtet e problemet e rënda të të burgosurve në të gjithë botën, duke kujtuar se gjendja e tyre është faktikisht, masë impresionuese e nivelit të qytetërimit të vendeve të ndryshme. Jo më kot, Ungjilli na thotë krejt pa doreza se ky do të jetë njëri nga kriteret e gjykimit të Zotit për ne: “Isha i burgosur e erdhët të më shihni – isha i burgosur e NUK më erdhët për vizitë”. Viktimat e shpërfytyruara të Komajaguas, në të vërtetë, kanë për secilin prej nesh, fytyrën e Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.