2012-02-18 17:51:36

Koncistori i rregullt për krijimin e 22 kardinajve të ri, të cilëve Papa u kërkoi t’i shërbejnë Kishës me qartësi e guxim. Logjika e fesë është shërbimi


Shërbeni Kishës “me dashuri e zell”, të bashkuar në mënyrë të pazgjidhshme me Papën. Këtë impenjim u kërkoi Ati i Shenjtë Benedikti XVI 22 kardinajve të ri, të krijuar e të shpallur gjatë Koncistorit të rregullt publik, të cilin e kryesoi sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Në mbarim të ceremonisë solemne e prekëse, Papa dhe Kolegji i ri kardinalor vijuan me votimin e disa Çështjeve mbi kanonizimin e shtatë të lumturve.
Në shërbim të Shërbëtorit të shërbëtorëve të Zotit. Ky është nderi i petkut të purpurt kardinalor. Lartë, pranë Pjetrit, si gurë të çmueshëm të ndërtimit, së bashku me të, Kisha e sotme mbështetët mbi këta gurë, duke gjetur stabilitetin, forcën, orientimin dhe dritën si Kisha e parë e kohës së Apostujve. Para Kardinajve të ri, Benedikti XVI foli mbi rolin e misionit të shërbimit në Kishë dhe e nënvizoi thelbin që ka shërbimi kardinalor, i cili, siç tha ai, bashkon “ me një lidhje të re e më fortë jo vetëm Papën e Romës por edhe mbarë bashkësinë e besimtarëve të shpërndarë në mbarë botën”. Fjalimi i Papës paraprini ceremoninë e dorëzimit të kësulës së kuqe kardinalore, të unazës dhe të titullin të një Kishe të Romës apo të një dioqeze suburbikare të Romës. E para kryesimit të ritit solemn e prekës të lashtë të Koncistorit, Papa Ratcinger nënvizoi me forcë domethënien e ngjyrës së “kuqe”, emblemë e një “përkushtimi absolut e të pakushtëzuar”, deri – “ nëse është nevoja” – të derdhjes së gjakut në shërbim të Zotit e të popullit:
“Atyre, u kërkohet t’i shërbejnë Kishës e njerëzimit me dashuri e zell, me kthjelltësi e urti, me energji e qëndresë të barinjve, me besnikëri e guxim të martirëve. Është fjala për qenë shërbëtorë të shquar të Kishës e cila në Pjetrin e ka shenjën e dukshme të bashkimit”.
Ngjarja e Ungjillit të Markut ku Jakobi e Gjoni i kërkojnë Jezusit të kenë mundësinë të ulën në të djathtën e të majtën e tij, i dhanë shkas Benediktit XVI për të kujtuar përgjigjen e Mësuesit Hyjnor, i cili u shpjegoi dishepujve se të mbretërosh do të thotë shërbesh (Mk 10.25-45) e për të reflektuar mbi kundërshtimin që ekziston ndërmjet dy logjikeve të papajtueshme: asaj të dhurimit të vetvetes e asaj të pushtetit. Përvoja nga jeta e përditshme nuk e ka “stilin e pushtetit e të lavdisë”, pohoi Papa, duke cituar përgjigjen e famshme të Krishtit në Ungjilli mbi atë se si duhet të jetë marrëdhënia që duhet t’i lidhë mes tyre dishepujve e ithtarët e tij:
‘“Mes jush nuk duhet të ndodhë kështu; por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të jetë shërbëtori juaj, dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet shërbëtor i të gjithëve’. “Sundimi e shërbimi, egoizmin e altruizmi, pasja e dhurimi, interesi e bujaria: këto logjika që janë thellësisht në kundërshtim njëra me tjetrën, konfrontohen në çdo kohë e në çdo vend. Nuk ka asnjë dyshim për udhën e shërbimit të zgjedhur nga Jezusi: Ai nuk përkufizohet vetëm duke u treguar atë me fjalë dishepujve të asaj kohe e të sotëm, por e jeton personalisht në trupin e vet”.
Krishti, nguli këmbë Papa, “e merr lavdinë vetëm në saje të qenurit të tij shërbëtor”, kështu ligështimi i Apostujve para “ëndrrës së lavdisë” mund të jetë, tregoi Ati i Shenjtë duke cituar Qirilin e Aleksandrisë, “një nxitje për përvuajturi”:
“Dhurimi i plotë i vetvetes që Krishti ofroi mbi kryq, le të jetë për ju themel, parim, nxitje e forcë për një fe që vepron në dashuri e bamirësi. Misioni i juaj në Kishë e në botë le të jetë përherë e vetëm “në Krishtin”, përgjigjja ndaj logjikës së tij e jo ndaj logjikës së botës, le të ndriçohet nga feja e frymëzohet nga dashuria që vijnë tek ne nga Kryqi i lavdishëm i Zotit”.
E lidhur me këtë porosi, Benedikti XVI bashkoi kërkesën e tij me një vëmendje të veçantë:
“E lutuni Zotit edhe për mua, në mënyrë që të mundem gjithmonë t’i ofrojë Popullit të Zotit dëshminë e doktrinës së sigurt e të mbajë me qëndrueshmëri të butë timonin e Kishës së shenjtë”.
Kënga e lutjes “Ati Ynë” e mbylli çastin e Koncistorit për krijimin e kardinajve të ri dhe hapi Koncistorin kushtuar votimit lidhur me Çështjen e Kanonizimit të shtatë të Lumturve, mes tyre edhe dy figura që kanë jetua në vitet 1600: Katerina Tekakwitha –(ajo që i vë punët në rregull), emri indian i Katerinës, e cila do të jetë Shenjtorja e parë lëkurëkuqe e Amerikës. Jetoi e vdiq duke u lutur, në vitet e largëta 1600. Dhe, martiri 17 vjeçar filipinas, Pedro Kalunsgod, katekist i përgatitur nga jezuitët spanjollë, u mbyt mizorisht, më 1593, prej njërit nga krerët irokezë të ishullit Guam të Paqësorit, së bashku me jezuitin, atë Diego, në sa i pagëzonin të bijën. Kufomat e tyre u flakën në oqean. Shtatë shenjtorët e ri do të shpallën nga Benedikti XVI më 21 tetorin e ardhshëm.
Pas ceremonisë së paradites së sotmes në Bazilikën e shën Pjetrit në Vatikan, Kolegji kardinalor i ri i përbërë prej 213 kardinajve, prej të cilëve 125 me të drejtën për të zgjedhur Papën e për t’u zgjedhur në fronin e Shën Pjetrit, dhe 88, mbi moshën 80 vjeç, pra vetëm me të drejtë këshillimore. Në katër Koncistorët e Papnisë së tij, Benedikti XVI ka krijuar gjithsejtë 62 kardinaj. 71 janë Vendet e prejardhjes së kardinajve që përbëjnë Kolegjin aktual kardinalor e në veçanti 119 nga Evropa, 21 nga Amerika e Veriut ( SHBA-së e Kanadaja), 32 nga Amerika Latone, 17 nga Afrika, 20 nga Azia e 4 nga Oqeania.







All the contents on this site are copyrighted ©.