2012-02-17 18:35:06

Imzot Çullikat: tregtia e paligjshme e armëve ka si pasojë dhunën e varfërinë.


Bashkësia ndërkombëtare ka nevojë për një mjet ligjor të fortë, të besueshëm e të suksesshëm, që mund të rregullojë e të përmirësojë transperencën e tregtisë së armëve konvencionale e të municioneve. Këtë nënvizoi Imzot Frensis Çullikat, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, duke folur, më 13 shkurtin e kaluar, në sesionin e katërt të Komitetit përgatitor për Konferencën e OKB me temë ‘Traktati mbi tregtimin e armëve”, që do të mbahet në korrikun e ardhshëm. Sesioni vijon punimet në Nju Jork.

Tregtimi i parregullt e jo transparent i armëve, për shkak të mungesës së sistemeve efikase të monitorazhit, ka pasoja të rënda në planin humanitar. Zhvillimi njerëzor, vërejti imzot Çullikat, ngadalësohet; rreziku i konflikteve shtohet; proceset e paqes vihen në rrezik e lehtësohet përhapja e kulturës së dhunës e të kriminalitetit. Prandaj, shpjegoi imzot Çullikat, është e nevojshme që e gjithë bashkësia ndërkombëtare t’i kundërvihet me përgjegjësi këtij fenomeni. Duke kujtuar se në një aksion të tillë duhet të marrin pjesë shtetet, organizatat ndërkombëtare e organizmat jo qeveritare, vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, nënvizoi se parimi themelor i Traktatit mbi tregtinë e armëve, duhet të jetë përpjekja për ndërtimin e një bote, që e respekton më shumë dinjitetin e njeriut dhe vlerën e jetës njerëzore. Kriteret e zbatimit të Traktatit, shtoi imzot Çullikat, duhet t’i kenë mirë parasysh të drejtat e njeriut e të drejtën humanitare për zhvillim, fusha në të cilat ndikimi i tregut të paligjshëm të armëve është veçanërisht i fortë. Së fundi, duhet t’i kushtohet vëmendje kufizimit të përhapjes së paligjshme e armëve, përmes pakësimit të prodhimit të tyre. Në këtë këndvështrim, përfundoi imzot Çullikat, na duket e nevojshme të theksohen mirë në Traktat, proceset edukative dhe programet që, duke aktivizuar të gjithë sektorët e shoqërisë, përfshirë edhe organizatat fetare, duhet të përpiqen për të përhapur kulturën e paqes.








All the contents on this site are copyrighted ©.