2012-02-16 12:57:52

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç’do të thotë fjala “koncistor”?


Mbledhja e ardhshme solemne e të gjithë kardinajve, kryesuar nga Papa, do të mbahet më 18 e 19 shkurt, pra të shtunën e të dielën. Me atë rast do të bëhen efektive, emërimet e 22 kardinajve të rinj, që Benedikti XVI i njoftoi që më 6 janar, në Festën e Dëftimit të Zotit. Kjo mbledhje, quhet “koncistor” e gjatë ceremonisë, e cila është publike, Ati i Shenjtë do t’i japë çdo kardinali kësulën e purpurtë dhe unazën, së bashku me emrin e kishës së Romës, ku do të jetë titullar, në shenjë të bashkimit me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Por ç’do të thotë fjala “koncistor”?
Po të shohim fjalorin, nga latinishtja “consistorium”, që do të thotë mbledhje, asamble, këshill, aty ku jemi të gjithë së bashku, fjala është përdorur fillimisht për të përcaktuar “sallën e pritjes” e pastaj një mbledhje formale të kolegjit të këshilltarëve të një sovrani. Perandorët romakë kishin këshilltarët e tyre, që mblidheshin në “kolegjin e shenjtë”, apo “sacrum consistorium”. Ata ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë, si kreu i administratës së perandorisë (magister officiorum), ministri i financave (comes sacrarum largitionum), ministri i drejtësisë (quaestor sacrii palatii), ministri i tokave – pronë private (comes rerum privatarum). Mund të merrte pjesë, por jo gjithmonë, edhe çambelani i madh (praepositus sacri cubiculi).
Më vonë, fjala “koncistor” u përdor në Kishë, në të cilën ka një histori të lashtë. Është mbledhja solemne e të gjithë kardinajve, kryesuar nga Papa, për trajtimin e disa çështjeve me rëndësi në qeverisjen e Kishës. Mbahet në Vatikan e ka gjithnjë vlerë këshillimore e jo vendimmarrëse. Sipas së drejtës kanonike (neni 353), kardinajtë kanë për detyrë ta ndihmojnë Atin e Shenjtë në udhëheqjen e Kishës, sidomos përmes koncistorëve, në të cilët thirren nga vetë Papa.
Ka koncistorë të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, forma që kanë zëvendësuar ato më të lashtat: koncistorin publik, gjysëmpublik dhe të fshehtë. Koncistori i zakonshëm mblidhet kryesisht për krijimin e kardinajve të rinj dhe në të duhet të marrin pjesë të gjithë kardinajtë, që ndodhen në Romë. Ndërsa, koncistori i jashtëzakonshëm mblidhet për konsultime mbi argumente me rëndësi të veçantë, ose për të shpallur akte, që pasqyrojnë nevojat urgjente të Kishës në atë moment, ose që u japin përgjigje problemeve jashtëzakonisht të rënda. Në të duhet të marrin pjesë të gjithë kardinajtë, pa përjashtim. Koncistori i zakonshëm është gjithnjë “publik”, pra në të marrin pjesë, përveç kardinajve, edhe persona të tjerë të ftuar.
I tillë është koncistori i të shtunës. Papa do të krijojë 22 kardinaj të rinj, emrat e të cilëve dihen, sepse janë shpallur nga vetë Benedikti XVI. Por një Papë mund të vendosë të krijojë edhe kardinaj, që për arsye të caktuara, nuk u bëhet publik emri. Kjo ka ndodhur me Papën Gjon Pali II e me të tjerë para tij. Këta kardinaj quhen “in pectore”. Ai krijoi tre të tillë. I fundit, i krijuar në vitin 2003, gjatë koncistorit të fundit të Papës Vojtila, nuk u mor vesh për shkak të vdekjes së Atit të Shenjtë më 2005.
Nga 22 kardinajt, që Papa do të krijojë në koncistorin e 18 e të 19 shkurtit, 18 kanë të drejtë zgjedhore; 16 janë evropianë, 4, amerikanë e 2, aziatikë. Me rastin e shpalljes së emrave, më 6 janar, gazeta e Vatikanit “L’Osservatore Romano”, shpjegoi edhe se Zyra e Kremtimeve Liturgjike Papnore, me miratimin e Benediktit XVI, ka bërë disa ndryshime. Ripropozohet riti i 1969-s, ndryshojnë lutjet e hyrjes e ato përfundimtare. Edhe kumtimi i Fjalës së Zotit do të ketë një formë më të shkurtër, ndërsa unifikohen, në një rit të vetëm, tre çastet kulmore: ai i vënies së simboleve siç është ai kësulës, ai i dorëzimit të unazës kardinalore dhe i kishës titullare ose i diakonisë.
Para Koncilit II të Vatikanit, koncistori për krijimin e kardinajve zhvillohej në tri faza: “koncistori sekret”, gjatë të cilit Papa u shpallte anëtarëve të kolegjit kardinalor listën e të zgjedhurve të rinj, “koncistori publik”, gjatë të cilit kardinajt e rinj merrnin nga Papa qeleshen tricepëshe, ndërsa faza e tretë parashikonte “vendosjen e një kapele”, nga duart e Atit të Shenjtë - ceremoni, që mund të bëhej edhe pas koncistorit. Natyrisht, kjo praktikë nuk përdoret më e as kapela e dikurshme e kardinalit, ndërsa ka mbetur kësula, qeleshja tricepëshe dhe unaza kardinalore, mitra dhe stema dalluese. Gjatë tre koncistorëve të thirrur deri tani nga Papa Benedikti XVI, janë krijuar 62 kardinaj.
Termi “koncistor” në Kishat protestante, në përgjithësi, është sinonim i “Këshillit të kishës”, organ qeverisës, formuar nga “pleqtë”, apo “të urtët”, e zgjedhur nga bashkësia e besimtarëve. Është organ suprem i Kishës kalviniste dhe i asaj luterane. Ndërsa për Kishën ortodokse, “koncistori i peshkopëve” është i zgjedhur nga Sinodi i Shenjtë dhe përbën një lloj gjykate.







All the contents on this site are copyrighted ©.