2012-02-16 15:58:10

Të mërkurën e Përhime, Papa në kishën e shën Anselmit e në atë të shën Sabinës


Të Mërkurën e Përhime, më 22 shkurt, besimtarët e krishterë hyjnë në Kohën e Krezhmëve, periudhë e përgatitjes shpirtërore për pritjen e Ringjalljes së Krishtit, të festës së Pashkëve. Atë ditë, Papa Benedikti XVI do të kryesojë një kremtim në formën e “Stacioneve”.

Në orën 16.30, në kishën e Shën Anselmit në Aventin do të fillojë liturgjia “stacionare”, që do të pasohet nga procesioni pendestar drejt Bazilikës së Shën Sabinës. Në të do të marrin pjesë kardinaj, kryeipeshkvij, ipeshkvij, murgjërit benediktinë të Shën Anselmit, etërit domenikanë të Shën Sabinës dhe besimtarët. Në përfundim të procesionit, do të kremtohet Eukaristia në Bazilikën e Shën Sabinës dhe riti i bekimit e i hirosjes.

“Stacionet” krezhmore për të cilat bëhet fjalë në këtë lajm, janë një traditë e lashtë e Kishës, që përmendet, që në shekullin V. “Stacioni” është para së gjithash vigjëlim, i shoqëruar nga agjërimi, me të cilin përgatitemi të jetojmë një ngjarje të rëndësishme. Kisha përdor këtu terminologjinë ushtarake, prandaj “stacioni” na çon tek përfytyrimi i rojes, që vigjëlon mbi kampin ushtarak. Kjo ka të bëjë drejtpërdrejt me Krezhmët, gjatë të cilave, besimtarët duhet të vigjëlojnë, të kenë kujdes e të bëjnë vepra bamirëse, të pendohen e të agjërojnë. Këto vepra çojnë drejt kthimit rrënjësor të zemrave.

Konkretisht, “stacioni” është një takim me bashkësinë e krishterë, e cila mblidhet në të ashtuquajturit “tituli”, pra, në famulli të lashta ose shenjtërore, ku janë varrosur martirë. Është takimi i besimtarëve me ipeshkvin, pjesë e së cilës është edhe procesioni nga një kishë e afërt tek kisha stacionare ose tek një nga bazilikat e mëdha, ku ruhet kujtimi i martirit.







All the contents on this site are copyrighted ©.