2012-02-16 16:57:15

Jahjaga: Pavarësia e Kosovës proces i pakthyeshëm


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi sot, në seancën solemne të Kuvendit për katërvjetorin e Pavarësisë, së shpallur më 17 shkurt 2008, se "pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe nuk ka alternativë".
"Ne jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, që zhvillojmë marrëdhënie të mira bilaterale dhe fqinjësore, duke dhënë një shembull të mirë të bashkëpunimit dhe të respektit të ndërsjellë", theksoi Jahjaga.
Kosova, vijoi presidentja, e ka ndërtuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar dhe përfaqësohet dhe do të përfaqësohet e barabartë e me reciprocitet të plotë.
"Proceset nuk kthehen mbrapa dhe askush nuk mund të krijojë përshtypjen se procesi i pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk është i përfunduar", u shpreh Jahjaga, duke shtuar se Republika e Kosovës është e ndërtuar në parimin qytetar, me liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit.
"Të gjitha etnitë e Kosovës i gëzojnë të drejtat e tyre të plota kombëtare, pa marrë parasysh numrin e tyre. Kjo është vlerë e jona, e ndërtuar tradicionalisht, duke respektuar dhe nderuar njëri-tjetrin", tha presidentja kosovare.
Sipas saj, të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, bashkohen në vizionin e përbashkët të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Presidentja Jahjaga tha se "në telegramin e urimit që na erdhi sot nga sekretarja e Shtetit Klinton, thuhet se, "edhe pse është një shtet i ri, Kosova është vend që ka një të ardhme premtuese dhe SHBA janë të përkushtuara ta mbështesin një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumetnike".
"Kjo rrugë do ta çojë Kosovën në integrimin e plotë euroatlantik, në stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet për vendin tonë", tha Jahjaga.







All the contents on this site are copyrighted ©.