2012-02-15 19:03:03

Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti nuk na braktis kurrë në çaste të vështira. Thirrje për familjet.


Sot paradite, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Benedikti XVI vijoi meditimin kushtuar lutjes së Krishtit në kryq. Nënvizoi se edhe në provat më të vështira, Zoti nuk do të na lëshojë dore, asnjëherë e në asnjë rrethanë. Më pas, duke përshëndetur Shoqatën italiane të familjeve me shumë fëmijë, kërkoi ndërhyrje të përshtatshme dhe ndihmë për familjen, shpresë për mbarë vendin e për mbarë vendet.RealAudioMP3

Në Sallën e Palit VI, përplot me besimtarë, Papa preku përsëri një temë rrënqethëse: atë të lutjes së Jezusit të mbërthyer mbi kryq, në grahmat e fundit. Fjalët e Zotit, nënvizoi Papa, na hyjnë në shpirt me gjithë peshën e rëndë, tragjike, e tejet impenjative, të lutjes në çaste të vështira, kur mbërthehemi në gjithfarë kryqesh, që nuk mungojnë në jetë, e njëkohësisht na mbushin me besim të plotë e shpresë të sigurtë:
“Jezusi, i cili i lutet Atit t’i falë ata, që po e kryqëzojnë, na fton të bëjmë të njëjtën gjë, vërtet e vështirë për ne: të lutemi për fajtorët tanë, që na dëmtojnë rëndë, duke e shtrembëruar të drejtën. Të lutemi, t’i falim gjithnjë, t’i lypim Zotit hirin, që drita e Tij t’ua ndriçojë zemrën e të na ndihmojë t’i mëshirojmë e t’i duam, me atë mëshirë e dashuri, që ka për ne vetë Zoti”.
Kur e kryqëzojnë e posaçërisht, kur lyp falje për kryqëzuesit, Jezusi e jeton plotësisht lidhjen ndërmjet Atit e Birit, vërejti Papa. E, më pas, u ndalua posaçërisht tek përgjigjja, që i dha Krishti hajdutit të mirë: “Sot do të jesh me mua në Parajsë”:
Kështu, përmes kësaj përgjigjeje, Krishti ngjalli shpresën e sigurtë se mirësia e Zotit mund të na prekë edhe në çastin e fundit të jetës e se lutja e sinqertë, edhe pas një jete të gabuar, të çon në krahët e hapur të Atit të mirë, që pret kthimin e birit”.
Por, t’i dëgjojmë përsëri fjalët e fundit të Jezusit, që vdes mbi kryq: janë fjalë që çdo besimtar i përsërit, plot shpresë kur ndjen se i afrohet fundit të udhës së kryqit të vet. Fjalë të shqiptuara mes një terri të dendur, që kishte mbështjellë mbarë tokën, në sa dielli qe zënë e tisi i tempullit, çarë përmjedis: “O Atë, në duart tua po e dorëzoj shpirtin tim!”dhe “Gjithçka u krye”. Pas të cilave Zoti ul kryet e jep shpirt. Britmë e fuqishme e lëshimit të plotë e të fundmë në dorën e Atit:
Lutja e Jezusit para vdekjes është dramatike, si lutja e çdo njeriu, por njëkohësisht, përplot me sigurinë se, sado të rënda të jenë provat; sado të vështira, problemet; sado të padurueshme, vuajtjet, Zoti nuk do të na lëshojë kurrë nga duart, nga ato duar, që na krijuan, që na ndihmojnë, që na shoqërojnë gjatë gjithë rrugës së theptë të jetës, sepse përplot me një dashuri të pafundme e besnike”.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa kujtoi në mënyrë të posaçme Shoqatën italiane të familjeve me shumë fëmijë. Në rrethanat e sotme shoqërore, theksoi, këto bërthama familjare janë dëshmi e gjallë e fesë, e guximit dhe e optimizmit, sepse pa fëmijë, nuk mund të ketë të ardhme:“Uroj të merren përsëri masa të përshtatshme shoqërore e ligjore për t’i ndihmuar e për t’i mbrojtur familjet me shumë fëmijë, pasuri e shpresë për mbarë vendin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.