2012-02-15 19:03:31

Delegacioni i ministrave të Mbretërisë së Bashkuar në Vatikan. Baronesha Uarsi: Evropa ta mbrojë krishterimin e vet


Papa Benedikti XVI takoi sot një delegacion të nivelit të lartë, të përbërë nga ministra të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, të cilët ndodheshin që dje për vizitë në Vatikan, me rastin e 30 vjetorit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. Takimi u bë në vazhdën e kontakteve të krijuara pas vizitës së Papës në Britaninë e Madhe, në vitin 2010. Në komunikatën e përbashkët për shtyp, theksohet se ndihet nevoja urgjente e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së lirisë së fesë, kundër intolerancës dhe diskriminimit. Gjithashtu, shkruhet në tekst, shumë njerëz “vuajnë akoma nga uria, nuk kanë arsim dhe punë dinjitoze, shumë gra humbin jetën gjatë lindjes së fëmijëve”. Këndej duhet të nisë impenjimi i përbashkët për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut, në një kontekst barazie në planin ndërkombëtar, financiar e tregtar.
Si Selia e Shenjtë, ashtu edhe Britania e Madhe, e shohin luftën kundër pasojave të ndryshimit të klimës, lidhur ngushtë me luftën kundër varfërisë dhe ripohojnë angazhimin e tyre në Konferencën e OKB-së mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm, që do të mbahet në Rio-de-Zhanejro, në qershor të këtij viti. Njëkohësisht, impenjohen të punojnë brenda OKB-së, për zgjidhjen e konflikteve botërore, sidomos në Lindjen e Mesme, për të cilën urohet rifillimi i bisedimeve ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Të dyja shtetet dënojnë ashpër dhunën në Siri dhe i bëjnë thirrje regjimit të Bashar al Asadit të ndalojë menjëherë vrasjet. Pranvera arabe dhe ndryshimet politike në Afrikën Veriore qenë objekt diskutimi gjatë takimeve jo vetëm me Papën, por edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinal Tarçizio Bertone dhe me Sekretarin për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mamberti. U kërkua një kontribut më i madh i të krishterëve, sidomos në dialogun me myslimanët.
Po afrohet Konferenca e Londrës për Somalinë e Selia e Shenjtë, së bashku me qeverinë britanike, inkurajojnë hartimin e një strategjie koherente për mbrojtjen e popullsive të Bririt të Afrikës. E ndërsa Mbretëria e Bashkuar vlerëson rolin e Vatikanit në pajtimin me Irlandën e Veriut, të dyja shtetet, në prag të Lojrave Olimpike e Paraolimpike të Londrës dhe në kuadrin e festimeve të Jubileut të Diamanttë të mbretëreshës Elizabeta, urojnë që gjithçka të zhvillohet në frymën e Kartës dhe të Armëpushimit Olimpik.
U shkëmbyen mendime edhe për çështje të tjera shoqërore, ekonomike, politike dhe kulturore. Të dyja palët e konsiderojnë veçanërisht të rëndësishëm rolin e fesë e të arsimit në krijimin e një shoqërie me kulturë të shëndoshë. Selia e Shenjtë nënvizoi domosdoshmërinë e garantimit të lirisë së institucioneve të Kishës Katolike, të cilat duhet të veprojnë sipas parimeve dhe bindjeve të tyre. U theksua nevoja e mbrojtjes së familjes, bazuar mbi martesën, të lirisë fetare e të lirisë së ndërgjegjes.
Në krye të delegacionit britanik, baronesha myslimane Sajeda Hysein Uarsi, ministër pa protofol i qeverisë së Londrës, e cila mbajti në Akademinë Papnore Kishtare, edhe një fjalim mbi fenë në Evropë:
“Evropa ka nevojë të jetë më shumë e bindur për krishterimin e saj. Vërtet, duke u nisur nga njohja e saktë e identitetit personal, dialogu me të tjerët bëhet më i lehtë. Ka diçka të gabuar që në bazë: për t’u lënë hapësirë e për të krijuar barazi edhe për pakicat fetare e kulturore, rrezikohet pjesa më e madhe e trashëgimisë sonë fetare”.
E pashmangshme, përmendja e historisë së saj personale. Uarsi është bijë emigrantësh pakistanezë, e para grua myslimane ministre në qeverinë britanike, që e çon vajzën në shkollën anglikane, për t’i dhënë mundësi të njohë historinë dhe kulturën e vendit ku jeton, por edhe vlerat fetare, që karakterizojnë rrugën e Mbretërisë së Bashkuar në shekuj. Përsa i përket dialogut ndërfetar, baronesha ftoi të flitet ndryshe:
“Ashtu si Esperanto, një gjuhë e re, që synoi më kot neutralizimin e gjuhëve të tjera evropiane, përpjekja për të zhdukur ndryshimet ndërmjet feve çon drejt shuarjes së dallimeve dhe të intensitetit të besimeve tona. Përkundrazi, dialogu ndërfetar është i frytshëm, kur diskutojmë për ndryshimet, kur shpërvjelim mëngët e impenjohemi për ta kuptuar njëri-tjetrin”.
Duke cituar fjalimin e Benediktit XVI në Uestminster, baronesha Uarsi theksoi se feja në Evropë mënjanohet qëllimisht nga sfera publike, ndërsa do të ishte mirë për shembull, që krerët fetarë të thirreshin nga politikanët, sa herë janë në lojë parimet morale.







All the contents on this site are copyrighted ©.