2012-02-15 19:46:34

Benedikti XVI meshtarëve të ardhshëm të dioqezës së Romës: "Zoti na ndihmoftë të jemi njerëz të lirë”.


Papa, mësues i meshtarëve të ardhshëm të Romës. U bë sot pasdite kur, në orën 18. 15, shkoi për një vizitë në Seminarin e Madh, në festën e Zojës së Besimit, Pajtore e Institutit. Gjatë takimit, Benedikti XVI u mbajti një lectio divina 190 seminaristëve, përfaqësues të Seminarit të Madh, të Seminarit të Vogël Romak dhe të gjithë meshtarëve të ardhshëm të dioqezës kapitoline.
Para se të përshkonte navatën, për të arritur në presbiter, Ati i Shenjtë u ndalua pranë Tabernakullit, për të adhuruar të Shenjtnueshmin Sakrament, i shoqëruar nga tingujt e organos. Pasi zuri vend në fronin e përgatitur për të, para elterit, një lexues shpalli fragmentin ungjillor, shkëputur nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve (Rom. 12,1-2), të cilëve u drejton ftesën: “Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme para Hyjit – porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos iu përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e përtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit, çka është mirë e çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur”.
Pas leximit, Papa mbajti lectio divina. Ishte një reflektim, drejtuar meshtarëve të ardhshëm të Romës, pikërisht mbi letrën e Shën Palit, sepse, theksoi, përmes saj Apostulli i Popujve na flet edhe ne, mbasi u flet romakëve të të gjitha kohëve. Mos iu përshtatni parimeve të shekullit, por shndërrojeni e përtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit, u bëri thirrje seminaristëve Papa, me fjalët e Shën Palit. E, duke pasur parasysh sulmet e kohëve të fundit mbi Kishën, njerëzit dhe institucionet e saj, theksoi, ndërmjet tjerash:
“Mund të reflektojmë sot për Kishën, për situatën e sotme të Kishës, në një kohë kur flitet shumë për Kishën e Romës, në mbarë botën, kur thuhen shumë gjëra për të. Shpresojmë të flitet edhe për fenë tonë. Dhe e lusim Zotin pikërisht për këtë, që të flitet për fenë e Kishës”.E, pa harruar situatën tejet kritike në mbarë botën, e cila vijon të dridhet nga pasojat e krizës ekonomike, Benedikti XVI kujtoi se sot dy forca të mëdha, vendimtare, në vetvete të nevojshme, janë përdorur keq: financa dhe pushteti i mediave mbi opinionin publik, të cilat shpesh bëjnë të kundërtën e detyrës, që u është besuar. Në të dyja, gjithnjë më shpesh, sundon dëshira për t’u dukur. Kështu, thënë me dy fjalë, e shpjegoi Papa situatën para seminaristëve romakë, duke shtuar një lutje vërtet me vlerë, për të gjithë njerëzit e ndershëm të mbarë botës: “Zoti na ndihmoftë të jemi njerëz të lirë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.