2012-02-14 16:29:19

Vdiq atë Zhang Vençang, dëshmitar besnik i Ungjillit në Kinë, gjatë viteve të vështira.


Kisha katolike në Kinë është në zi: më 5 shkurt ndërroi jetë, në moshën 91 vjeçare, atë Lorenc Zhang Vençang, administrator dioqezan i tre qarqeve kishtare të provincës së Junanit. Meshtari lindi më 10 gusht 1920 në Haizhongzai. Pasi studioi në Institutin teologjik të Kunmingut, u shugurua meshtar më 23 dhjetor 1946, duke nisur shërbimin si zëvendës-famullitar i katedrales.
Që nga viti 1958, për të filloi rruga e Kalvarit. U arrestua me akuzën se kishte kryer krime kundërrevolucionare dhe u dënua me dhjetë vjet burgim. Nga burgu, në punë të detyruar e përsëri në burg. Kështu kaloi jeta e tij e gjatë, deri në maj të vitit 2000, kur u emërua administrator i përgjithshëm dioqezan për kryedioqezën e Kunming, dioqezën e Dalit dhe prefekturën apostolike të Zhaotong, në Junan. Besnik ndaj Kishës e ndaj Papës, vijoi të mbahej nën kontroll policor deri në frymën e fundit.Mbeti në kujtesë të Kishës, të grigjës së tij dhe të mbarë popullit kinez, si dëshmitar i fesë katolike, në bashkim me Pasardhësin e Shën Pjetrit e, jo më pak, si njëri nga barinjtë që, me vetëmohim heroik, i bënë ballë njërës nga diktaturat më të tmerrshme, uraganit maoist, që u ndje fort deri në një skaj të Ballkanit, ku i dha goditjen e fundit vlerave, që kishin tepruar pas stuhisë së parë, të ardhur gjithnjë nga Lindja.







All the contents on this site are copyrighted ©.