2012-02-14 11:13:17

Sot kremtohet Dita botërore e radios. Guximi i Radio Shabelle, në Somali.


Sot kremtohet Dita I Botërore e Radios. Një mjet ky, themelor, për lirinë e shprehjes dhe kërkimin e paqes, të cilin shpesh, në zonat më të varfëra të botës, ka forca të errëta, që mundohen ta asgjësojnë, t’ia mbyllin gojën që, kur flet, dëgjohet në të katër anët.
Një përvojë të tillë e njeh mirë edhe Radio Vatikani në gjuhën shqipe, që nisi për një kohë të gjatë mesazhe përtej perdes së hekurt, ku zëri i saj ishte krejtësisht i padëshiruar, sepse mbronte të vërtetat e mohuara e lirinë e dhunuar të mbarë popullit shqiptar. Madje, njëri nga zërat e para, ai i Zef Palit, pati një fund të papritur e të pashpjeguar. Nuk u mësua kurrë kush ishte ai, që i kaloi përsipër me makinë, në sa po ecte në trotuar. E kjo ngjalli shqetësim jo të pakët në mjediset tona. Shqetësim, por jo frikë, gjë që e dëshmon fakti se Radio Vatikani në gjuhën shqipe, vijoi ta shpallë me zë të lartë të vërtetën e ta predikojë pa ngurrim Ungjillin e Krishtit, i vetmi predikim që kapërcente telat me gjemba, duke ngushëlluar zemrat e etura për Zemrën e Krishtit.
Tani, zëri ynë fluturon i lirë në valët e ajrit, pa ndeshur më në pengesat e dikurshme. Por ne nuk mund të harrojmë se përvoja jonë përsëritet në vende të ndryshme të botës, ku forcat e errëta përpiqen me të gjitha mënyrat t’i pengojnë zërat e lira, që u përçojnë popujve të vërtetën, edhe e sidomos, kur kjo për ndokënd, është tejet e hidhur. E tregon këtë shembulli i pesë gazetarëve të Radio Shabelle, në Mogadisho të Somalisë, që u vranë gjatë muajve të kaluar. I fundit ishte drejtori, Hasan Osman Abdi, vrarë më 28 janar 2012. Pyetëm zëvendës-drejtorin e ri të Radio Shabelle, Mohamad Amiin Adow, cili është roli i radios, që drejton:

Përgjigje: - It is an independent radio station and it is the last independent radio…
Është një stacion radiofonik i pavarur, e fundmja radio e pavarur në të gjithë Somalinë; përbëhet nga një stacion televiziv e radiofonik, që transmeton lajme për dëgjuesit e gjuhës somale.

Pyetje: - Këto vite pesë nga gazetarët tuaj u vranë; i fundmi, më 28 janar 2012. Ishte Hasan Osman Abdi, 30 vjeç, i njohur me epitetin “fantastiku”. U vra në shtëpinë e tij nga një komandë prej pesë vetësh, duke lënë jetimë tre fëmijë. Nuk u mor vesh si e pse. Ishte ekzekutim? Dyshoni në ndokënd?

Përgjigje: - Really, it was an assassination and an execution…Ishte vërtet vrasje, ekzekutim. Këta burra të armatosur e ndoqën pas deri në shtëpi, e ndaluan dhe e qëlluan. Vrasje me paramendim, sepse ai ishte drejtor i emitentes sonë. I pesti, që vritej, e deri tani nuk është dënuar askush për këto vrasje. E shikoni edhe vetë se nuk është e lehtë të ngresh zërin para një mikrofoni; të thuash të vërtetën, para një mjeti, që e çon larg zërin, por ne jemi të vendosur të vijojmë punën. Jemi të bindur se duhet ta paralajmërojmë popullin tonë për rreziqet, para të cilave ndodhet vendi. Besojmë se mjetet e komunikimit të lirë janë pjesë përbërëse e demokracisë dhe e qeverisjes së mirë. Prej këndej, ata që nuk duan as komunikim të lirë e as qeverisje të mirë, na kanë vënë në shënjestër e duan të na e mbyllin gojën, të na bëjnë të heshtim. Po ne nuk do të heshtim kurrë, jemi të vendosur për këtë. E edhe në se shuhet një zë, do të ngrihet një tjetër, që do ta bërtasë të vërtetën.







All the contents on this site are copyrighted ©.