Shenjtorët Çirili e Metodi. Fjalët e Papës: ungjillëzues të palodhur, nga të cilët
duhet të frymëzohet Evropa e sotme
Kisha kremtoi sot Shenjtorët Çirili e Metodi, apostuj të Lindjes së krishterë, bashkëpajtorë
të Evropës. Dy vëllezërve selanikas, Benedikti XVI u ka kushtuar katekizmin në audiencën
e përgjithshme të 17 qershorit 2009, si dhe disa reflektime, posaçërisht në audiencat
e përvitshme me delegacionet bullgare e maqedonase, ditën e festës së shenjtorëve.
Ja disa nga mendimet e Papës për Shenjtorët Çirili e Metodi:
Të ndiqet shembulli
i Shenjtorëve Çirili e Metodi, ungjillëzues të palodhur e pararendës të inkulturimit
të Ungjillit. Është kjo nxitja e Papës Benedikti XVI, i cili e ka ftuar disa herë
Evropën, e posaçërisht popujt sllavë, t’i japin gjallëri të re rrënjëve të krishtera
të Kontinentit të Vjetër. Papa vë theksin mbi misionin përtëritës të vëllezërve selanikas
të cilët, 1200 vjet më parë, e kumtuan Lajmin e mirë, duke e paraqitur me fjalë që
i kuptonin plotësisht popujt e Moravisë së Madhe, sepse e përkthyen Shkrimin Shenjt
në gjuhët sllave: “Çirili e Metodi ishin të bindur që popujt nuk mund të
mendonin se e kishin përvetësuar plotësisht Zbulesën, në se nuk do ta dëgjonin në
gjuhën e tyre e nuk do ta lexonin me shkronjat e alfabetit të tyre “(Audienca
e përgjithshme, 17 qershor 2009)”. Papa ndalohet tek metoda që ndoqën Shenjtorët
Vëllezër e nënvizon se ata arritën të frymëzonin e të përhapnin parimet e inkulturimit
të Ungjillit, posaçërisht duke i përmbledhur dogmat e krishtera në libra të shkruar
në gjuhët sllave: “Në fakt Çirili e Metodi përbëjnë një shembull klasik të
asaj, që sot njihet me termin ‘inkulturim”: çdo popull duhet t’ia përshtasë kulturës
së vet mesazhin e zbuluar e t’i shprehë të vërtetat shëlbuese me gjuhën e vet. Kjo
kërkon një punë shumë impenjative për përkthimin, sepse duhen gjetur termat e përshtatshme
për ta propozuar, pa e tradhtuar, pasurinë e Fjalës së zbuluar”(Audienca e
përgjithshme , 17 qershor 2009). E kjo që na dhanë Shenjtorët, vijon Papa, është
dëshmi shumë e rëndësishme edhe për Kishën e sotme, e cila vijon të frymëzohet nga
veprimtaria e tyre. E më pas, Benedikti XVI pohon se ajo që i frymëzoi dy ungjillëzuesit,
të cilëve iu desh të përballonin vuajtje, mungesa e armiqësi, ishte shpresa e pamposhtur
në Zotin. Shpresë që edhe sot e kësaj dite jep frytet e veta në Bullgari: “Përmes
një veprimtarie të palodhshme ungjillëzuese, të aktualizuar me zell të vërtetë apostolik,
shenjtorët Çirili e Metodi e rrënjosën providencialisht krishterimin në shpirtin e
popullit bullgar, kështu që ai u lidh pazgjidhshmërisht me këto vlera ungjillore,
të cilat fuqizojnë gjithnjë identitetin e pasurojnë kulturën e një kombi”
(Audiencë delegacionit bullgar, 22 maj 2010). Posaçërisht e lidhur me Shenjtorët
Çirili e Metodi është edhe Maqedonia, së cilës Papa i kërkon ta ruajë trashëgiminë
shpirtërore të Shenjtorëve të vet Pajtorë: “Këta Shenjtorë Bashkë-Pajtorë
të Evropës, të cilëve ju, me të drejtë të plotë, u luteni, hapën një shteg njerëzor
e shpirtëror, që e bën Tokën tonë vend takimi ndërmjet kërkesave të ndryshme kulturore
e fetare. Larmia paqësore e dëshirave të popujve që e banojnë, projekton mbi Kontinentin
evropian një skenar ballafaqimi faktik e pjellor, të cilin Selia e Shenjtë e shikon
me dashamirësi”(Audiencë me delegacionin maqedonas, 24 maj 2007). Shenjtorët
Çirili e Metodi, pohon Papa, duhet t’i inkurajojnë të krishterët e Evropës, t’i ruajnë
e t’i fuqizojnë lidhjet ndërmjet Ungjillit dhe identiteteve përkatëse kulturore:“Ashtu
si dishepujt e Zotit, duke respektuar reciprokisht traditat e ndryshme kishtare, jemi
të thirrur të japim dëshminë e përbashkët të fesë sonë në Jezusin, në emër të të cilit
fitojmë shëlbimin”(Audiencë me delegacionin bullgar, 22 maj 2010).