Kah Kreshmët. Imzot Bruno Forte komenton Mesazhin e Papës: feja e bamirësia janë të
pandara.
"Të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke u nxitur për dashuri dhe për vepra të
mira”. Është kjo frazë, shkëputur nga Kapitulli X i Letrës drejtuar hebrenjve, titulli
i mesazhit të Benediktit XVI për Kreshmët 2012. E komenton, në mikrofonin tonë, imzot
Bruno Forte, kryeipeshkëv i Kieti-Vastos:
Përgjigje:
- Shikoj një lidhje të ngushtë ndërmjet këtij mesazhi dhe Vitit të Fesë,
tashmë tek porta. Papa, i cili i fillon enciklikat e tij me një reflektim tejet aktual
e, do të shtoja, edhe konkret, për bamirësinë, me këtë vëmendje, që i kushton në mesazhin
e Kreshmëve përgjegjësisë ndaj të tjerëve, reciprocitetit dhe dhurimit të vetvetes,
na lë të kuptojmë se feja dhe bamirësia nuk mund të ndahen. Nënvizohet, kështu, një
aspekt i rëndësishëm i jetës së krishterë, i jetës së burrave të fesë e grave të fesë,
që i kushtohen me gjithë zemër të tjerëve, në të mira e në të vështira. Nuk është
fjala thjesht për shpirtmirësi: është ftesë për një impenjim të gjithanshëm.
Pyetje:
- Papa na bën thirrje edhe që të ecim së bashku në rrugën e shenjtërisë. Si mund
t’i përgjigjemi, në këtë çast historik, thirrjes universale për shenjtëri?
Përgjigje:
- Më duket se mesazhi kërkon të mos e ngushtojmë kurrë konceptin, që kemi
për njeriun; të mos e shikojmë si qenie, që synon vetëm plotësimin e nevojave materiale,
sigurimin e mirëqenies me karakter ekonomik. Kaq e mjaft. Duhet synuar drejt majës
më të lartë të jetës së krishterë, shenjtërisë. Me fjalë të tjera, shenjtëria nuk
është stoli, që i shtohet njeriut: është realizim i plotë i dhuratës së Zotit. Prej
këndej, nuk duhet të kufizohemi vetëm në plotësimin e ndonjërës nga kërkesat e qenies
njerëzore, por duhet të plotësojmë kërkesën më të vërtetë, më të thellë: njeriu duhet
ta dojë Zotin, ta shikojë Zotin, të ketë dëshirën e natyrshme për ta parë Krijuesin
e vet, për të cilën flet, për shembull, Toma i Akuinit: njeriu mund të realizohet
vetëm në takimin me Zotin!
Pyetje: - Ka një fragment në mesazh,
tejet interesant: Papa u kërkon gjithë besimtarëve, të rizbulojnë një përmasë të dashurisë
së krishterë, atë të qortimit të mëkatarëve. Ç’kupton Ati i Shenjtë me këtë ftesë? Përgjigje:
- Shumë herë mendohet se për të ruajtur qetësinë, për të mos cënuar paqen,
nuk duhet ndërhyrë kurrë në ato, që quhen ‘punët e tjetrit’, nuk duhet qortuar tjetri,
edhe atëherë kur gabon, kur ka nevojë për ndihmë, që ta shikojë qartë planin e Zotit,
të pendohet, të bëjë kthesë, sepse ecën në rrugë të shtrembër. Ta lëmë të ecë në këtë
rrugë? Në emër të paqes? Po ç’ paqe mund të ketë në shpirt njeriu që ecën shtrembër?
Rri shtrembër, por fol drejt, na kujton një fjalë e urtë popullore. Prej këndej, njeriu
duhet parë sipas perspektivës së Zotit. Duhet ta dijë mirë se mëkati jo vetëm që është
i keq, por edhe bën keq e se shenjtëria jo vetëm që është e mirë, por edhe bën mirë!
Atëherë, në se jemi të krishterë të vërtetë, duhet, përvujtërisht e me ndihmën e vazhdueshme
të Shpirtit Shenjt – kuptohet - ta ndihmojmë njëri-tjetrin të largohemi nga e keqja.
Kjo do të thotë edhe ta kuptojmë të keqen që mund të kemi bërë. E pikërisht kjo i
sjell paqen e vërtetë shpirtit, jo heshtja fajtore, që i mbulon mëkatet e tjetrit,
duke i hapur rrugën përsëritjes së tyre në dëm të vetë paqes. E sidomos, të shpirtit
që, duke mëkatuar, shkëputet nga lidhja e tij me Zotin.