Nga Letra e parë e Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve (13, 1-13):
Dhe
ja, po ju deftoj më të shkëlqyeshmen udhë! Po t’i folja gjuhët e njerëzve
e të engjëjve, por të mos kisha dashurinë, do të isha porsi bronzi
që kumbon e porsi cimbali që tingëllon. Po ta kisha dhuratën e
profecisë e t’i dija të gjitha misteret e të gjitha dituritë; po
ta kisha edhe fenë e plotë, me të cilën të mund t’u shdërroja vend maleve, por
po të më mungonte dashuria, s’do të isha asgjë! Po ta ndaja lëmoshë
mbarë pasurinë time dhe po ta jepja trupin tim të digjej, por,
po të më mungonte dashuria, nuk do të më vlente asgjë! Dashuria
është zemërgjërë, është e dhimbshme, dashuria, nuk ka smirë, nuk
mbahet në të madh, nuk krenohet nuk është e panjerëzishme, nuk
kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk
i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson
gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka. Dashuria
nuk mbaron kurrë. Profecitë mbarojnë, gjuhët shuajnë, njohuritë
marrin fund. Sepse njohuria jonë është e kufizuar dhe e kufizuar
është profecia jonë. Por, kur të arrijë përsosmëria, çka është
e kufizuar do të marrë fund. Kur isha fëmijë, folja si fëmijë, mendoja
si fëmijë, arsyetoja si fëmijë. Kur u bëra njeri i pjekur, flaka
çka i përket fëmijërisë. Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë
të errët, por atëherë do të shohim faqe–faqas! Tani njohuria ime
është e kufizuar, atëherë do të njoh plotësisht, sikurse jam i
njohur. Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria -këto të tria- Porse
më e madhja ndër to është dashuria.