2012-02-14 16:30:56

Gjaku deri në gju në Homs të Sirisë. Shpresohet në ndërhyrjen e diplomacisë së Vatikanit


Nuk ka fund agonia e gjatë e Homsit në Siri, prej javësh në shënjestër të ushtrisë së Damaskut. Pavarësisht nga kërkesa e Lidhjes Arabe për të ndaluar menjëherë vrasjet, edhe sot numërohen 7 viktima, sipas burimeve të aktivistëve kundër regjimit. Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi sanksione të reja kundër Sirisë, ndërsa presidenti kinez Uen Zhabao bëri thirrje për të mos kaluar në luftë civile. Të dielën, në Engjëllin e Tënzot, edhe Papa Benedikti XVI e ngriti zërin për fundin e dhunës së presidentit Bashar al Asad në Siri. Fjalë, që janë pritur me mirënjohje në vend, siç tregon në mikrofonin tonë, themeluesi i bashkësisë murgare të Mar Musës, atë Paolo Dall’Oglio:RealAudioMP3

Shumë miq më morën në telefon të më tregonin për thirrjen e Papës. Sigurisht, është diçka mëse pozitive. Është ngushëllim i madh për sirianët, natyrisht për katolikët, por edhe për të gjithë të krishterët e, do të thosha madje, edhe për të gjithë qytetarët sirianë. Papa mbajti një qëndrim shumë realist, por njëkohësisht, ungjillor. Tani, është e rëndësishme që këto fjalë të mos mbeten vetëm një thirrje nga dritarja: Papa nuk mund të bëjë gjë i vetëm. Ka ardhur koha të veprojnë të gjithë të krishterët e të gjithë ata, që ia duan të mirën Sirisë.

Sipas jush, kjo thirrje është paralajmërim i ndonjë hapi tjetër të diplomacisë së Selisë së Shenjtë?

Shpresoj vërtet shumë. E kam kërkuar qartë këtë para një jave – siç e dini – dhe shoh se tani, më në fund, kemi një pikënisje shumë interesante, që ndjek qëndrimet koherente të Vatikanit, në të gjitha etapat e krizës. Nuk mund ta lemë Sirinë në gjendjen ku është zhytur. Vatikani ka avantazhin të përfaqësojë një diplomaci pa interesa të veçanta në zonë, që mund t’i bindë palët në konflikt. Përvoja e Selisë së Shenjtë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit në dialogun me Islamin, si atë sunit, ashtu edhe atë shiit, mund t’i shtyjë palët ta dëgjojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.