2012-02-13 15:45:44

Thirrje e Papës në Engjëllin e Tënzot: t’i jepet fund gjakderdhjes në Siri! Dashuria e Zotit është më e fortë se e keqja më e tmerrshme.


Përballë një turme të madhe besimtarësh, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke sfiduar ngricën e fortë, që sundon prej ditësh mbi Romën e veshur krejt me të bardha, Papa bëri një thirrje urgjente për t’i dhënë fund dhunës në Siri. T’ i jepet fund një herë e mirë gjakderdhjes, ngriti me forcë zërin Benedikti XVI.
Para lutjes mariane, Papa komentoi fragmentin e Ungjillit, në të cilin përshkruhet shërimi i të gërbulurit. Vetëm Jezusi, i siguroi Ati i Shenjtë besimtarët, mund të na çlirojë nga gërbula e mëkatit e nga hutimet e jetës.RealAudioMP3

Papa ndjek me vëmendje të madhe episodet dramatike të dhunës në rritje, që po trondisin rëndë Sirinë, duke shkaktuar një numër gjithnjë më të madh të vdekurish. I kujton çdo ditë në lutje viktimat, ndërmjet të cilave, shumë fëmijë, të plagosurit dhe të gjithë ata, që vuajnë pasojat e një konflikti gjithnjë më tronditës. Prej këndej Ati i Shenjtë përsëriti thirrjen për t’i dhënë fund luftës e gjakderdhjes:
I ftoj të gjithë, e posaçërisht autoritetet politike në Siri, të zgjedhin rrugën e dialogut, të pajtimit e të impenjimit për paqen. Është urgjente t’u përgjigjen shpresave të pjesëtarëve të ndryshëm të Kombit, ashtu si edhe dëshirave të bashkësisë ndërkombëtare, që shqetësohet për të mirën e përbashkët të mbarë shoqërisë e të zonës”.
Në katekizëm Papa komentoi Ungjillin e së dielës, në të cilin Jezusi , duke kapërcyer ligjin, që e ndalonte, prek e shëron një të gërbulur. Në këtë gjest, kujtoi Papa, përmblidhet e gjithë historia e shëlbimit, mishërohet vullneti i Zotit për ta shëruar njeriun, për ta pastruar nga sëmundja, simbol i së keqes, që i shpërfytyron dhe i rrënon marrëdhëniet ndërmjet nesh:
“Në këtë takim të dorës së Jezusit me dorën e të gërbulurit, shembet menjëherë çdo pengesë ndërmjet Hyjit e ndyrësisë njerëzore, ndërmjet së Shenjtes e të kundërtës së saj; e sigurisht jo për ta mohuar të keqen dhe forcën e saj negative, por për të treguar se dashuria e Zotit është më e fortë se çdo sëmundje, edhe se sëmundja më e keqe, më ngjitëse, më e tmerrshme. Jezusi mori mbi vete sëmundjet tona, u bë ‘i gërbulur’, që ne të pastroheshim nga fëlliqësitë tona”.
Papa kujtoi, më pas përvojën e Shën Françeskut në çastin kur, ende mëkatar, u takua me të gërbulurit:
“Në këta të gërbulur, të cilët Françesku i takoi, kur qe ende në mëkate, ishte i pranishëm vetë Jezusi; e, kur Françesku iu afrua njërit prej tyre dhe, duke e mundur neverinë, e përqafoi, Jezusi e shëroi nga gërbula e tij, domethënë, nga krenaria dhe e ktheu në rrugën e dashurisë së Zotit. Ja, kjo është fitorja e Krishtit: shërimi ynë i plotë e rilindja për një jetë të re”.
Më pas Papa kujtoi festën e Zojës Lurdë, që u kremtua të shtunën e kaluar. Shën Bernardetës, pohoi, Zoja e Bekuar i dorëzoi një mesazh tejet aktual: ftesën për lutje e pendesë:
Përmes Nënës së tij, është gjithnjë Jezusi që vjen të na takojë, për të na çliruar nga çdo sëmundje e korpit dhe e shpirtit. Ta lëmë të na prekë e të na pastrojë, e të kemi mëshirë për vëllezërit tanë”.Në përfundim, Papa u uroi të pranishmëve të dielë e javë të gëzuar dhe i ftoi në takimin së dielës së ardhshme, një e dielë - uroi, pa dëborë e pa ngrica.








All the contents on this site are copyrighted ©.