2012-02-13 15:46:14

Dita e parë Botërore e Radios. Atë Lombardi: jemi zëri i shpresës dhe i lirisë në botë


“Një radio e lirë, e pavarur e pluraliste është thelbësore për shoqëritë e shëndosha dhe me rëndësi jetësore për promovimin e të drejtave të njeriut e të lirive themelore”. Frazën e morëm nga mesazhi i drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Irina Bokova, shkruar për Ditën e sotme Botërore të Radios, e para në histori. Piza, në Itali, ishte qyteti i parë i kremtimeve të veçanta, për të kujtuar se pikërisht në këtë vend, mëse 100 vjet më parë, Guljelmo Markoni ndërtoi stacionin ndërkontinental Koltano. Iu drejtuam zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, njëkohësisht drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardit, për ta pyetur cilat janë ndjenjat e tij në këtë ditë, duke pasur parasysh se radioja e Papës transmeton praktikisht, qëkur u shpik radiofonia:
Mendoj se jemi pjesë e një epoke të re; se e kemi shoqëruar, me punën tonë, lindjen e një kohe, në të cilën komunikimi njerëzor, falë radios, ka arritur në një nivel të ri, më intensiv, më depërtues, më të shpejtë. Vërtet, gjatë historisë, ne kujtojmë shpikjen e shtypit si një etapë shumë të rëndësishme, e po ashtu, edhe shpikja e radios i jep mundësinë bashkësisë njerëzore të komunikojë, të bashkohet, të dialogojë.
Radioja – motra e varfër e televizionit. Të paktën kështu konsiderohet, megjithëse të dhënat e fundit tregojnë se dëgjuesit e radios janë në rritje, ndërsa shikuesit e televizionit në rënie. Sipas jush, pse ndodh kjo?
Mjafton të kemi parasysh disa gjëra praktike: radioja, si media, është elastike, mund të dëgjohet në çaste të ndryshme të ditës, ndërsa bëjmë punë të tjera e kjo nuk është e mundur për mediat si gazeta e televizioni. Nga ana tjetër, radioja mundëson një lloj komunikimi krejt të vetin, të ndryshëm nga mediat e tjera, priret drejt thellimit të lajmit dhe shmang degjenerimin, që shpesh e shohim në televizion, si për shembull, diskutimet e kota, pa pikën e respektit për njëri-tjetrin. Ndërkohë, në radio e kërkojmë dëgjuesin, thellohemi në shpjegime më të gjata, për të cilat kanë nevojë shumë njerëz, që e ndjejnë mungesën e tyre në kulturën aktuale. Mendoj për shembull, për shumë dëgjues të natës, për të sëmurët, për të verbërit: radioja është një mënyrë për t’iu afruar shpirtit të njerëzve e mbetet një vlerë e jashtëzakonshme. Pastaj, të mos harrojmë se radioja është medium, që përdor muzikën, si formën e artit më të përshtatshme për të, dhe e dimë sa e rëndësishme është muzika për të komunikuar me botën e sotme, sidomos me të rinjtë. Ndër të tjera, radioja është mjet, që nuk kërkon investime kolosale, prandaj përhapet lehtë edhe në vendet e varfëra. Pra, arsyet për ekzistencën e aktualitetin e radios janë të shumta.
Pikërisht dje, Radio Vatikani festoi 81-vjetorin, duke përfunduar idealisht jubileun e 80 vjetëve të saj. Cili është bilanci i këtyre muajve?
Ishte rast i jashtëzakonshëm për të përshkuar historinë, për të reflektuar mbi të e mbi misionin tonë, që Papët na e kanë besuar, për të mirën e Kishës e të njerëzimit: përhapja e mesazheve të tyre në shërbim të Ungjillit e të njerëzve. Në 80 vjet kemi kaluar tragjedi të mëdha e çaste të lavdishme: të mendojmë për Luftën Botërore, por edhe për Koncilin II të Vatikanit… U kemi dhënë popujve jashtëzakonisht të ndryshëm nga njëri-tjetri - në shumë gjuhë, për shumë kultura – mesazhe, që synojnë të mirën e njerëzimit, mirëkuptimin e ndërsjelltë, shpresën dhe paqen. E kështu duam të vazhdojmë, pavarësisht nga ndryshimi i gjendjes dhe i problemeve: ne duam të jemi zëri i shpresës dhe i urtisë, frymëzuar nga Ungjilli, në mbështetje të magjisterit të Atit të Shenjtë.
Nën presionin e teknologjisë, në një botë ku çdo lloj mesazhi bëhet menjëherë publik përmes internetit, sa mund të ruhet identiteti i veçantë i Radio Vatikanit?
Identiteti i veçantë varet nga misioni, nga ç’duam të bëjmë, nga mesazhi e përmbajtja e tij. Por, natyrisht, gjuha dhe mjetet që përdorim, zhvillohen me shpejtësi. Ne vazhdojmë ta quajmë veten radio e në thelb, jemi radio, por tashmë ecim në botën e multimedialitetit e në atë dixhitale. Prandaj, e quajmë veten Radio Vatikani, por publikojmë tekste në internet, bëjmë lajme në video, kemi një “player”, prandaj transmetojmë drejtpërdrejt imazhet e marra nga Qendra Televizive e Vatikanit. Pra, kemi hyrë në një botë, që nuk është thjesht radiofoni.
Radio Vatikani lindi si simbol lirie, kur bota ishte në prag të luftës. I shërbeu dhe e mbrojti lirinë, sidomos kur përpiqeshin t’ia mbyllnin gojën Papës e Kishës. Cili është misioni i radios në të ardhmen?
I ndjej shumë disa përparësi në veprimtarinë e Radio Vatikanit: për shembull, Afrikën, ose Lindjen e Mesme, zona kritike e me probleme, që kanë të bëjnë me luftën e me paqen. Për këto zona, ne duhet të vazhdojmë të jemi veçanërisht të pranishëm. Shpesh, valët e radios, që nuk mund të ndërpriten, janë rruga më e sigurtë për të shkuar tek ata njerëz, të cilët, përndryshe, nuk do të kishin asnjë mundësi të merrnin lajme. Prandaj, misioni i Radio Vatikanit si zëri i lirisë, në mbështetje të të vuajturve, të të varfërve, të të persekutuarve, mbetet thelbësor. Fatkeqësisht, bota vazhdon të ketë të njëjtat probleme, të cilat ne vazhdojmë t’i konsiderojmë sfida pune.








All the contents on this site are copyrighted ©.